Sportet me dorë

Vllaznimi zë vendin e Dritës në Superligën e Basketbollit

KB Drita e Gjilanit, klub pa palestër, ndonëse ishte kampione në Ligën e Parë të Kosovës në Basketboll,  ka mbetur pa u inkuadruar në elitën e basketbollit kosovar e vendin e saj e ka zënë Vllaznimi i Gjakovës.

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka miratuar aplikimin e KB Vëllaznimi për Wild Card në ProCredit Superligën e Kosovës, duke i hapur rrugë rikthimit të skuadrës gjakovare në elitën e basketbollit kosovar për edicionin 2026/27.

Vendimi u mor në mbledhjen e Bordit të FBK-së, të mbajtur më 30 korrik, ku u shqyrtuan dhe u miratuan një sërë çështjesh që lidhen me organizimin e sezonit të ri garues.

Miratimi i aplikimit të Vëllaznimit për Wild Card ishte një nga pikat kryesore të rendit të ditës dhe përbën një hap të rëndësishëm për klubin gjakovar, i cili synon të rikthehet në mesin e skuadrave më të mira të vendit.

Përveç këtij vendimi, Bordi i FBK-së miratoi edhe Propozicionet e Garave, Rregulloren për Regjistrim dhe Kalim, Rregulloren për Licencim dhe Garim, si dhe kalendarët zyrtarë të garave për ProCredit Superligën, Superligën e Femrave dhe Ligën e Parë të Meshkujve për sezonin 2026/27.

Në të njëjtën mbledhje u aprovua edhe fondi i shpërblimeve prej 34 mijë eurosh për ProCredit Superligën dhe 34 mijë eurosh për Superligën e Femrave, ndërsa u vendos që afati kalimtar për paraqitjen e lojtarëve të kategorive të reja të zgjasë deri më 15 shtator 2026.

Po ashtu, Bordi miratoi pjesëmarrjen e KB Kosovarit dhe KB Peja B në Ligën e Parë të Meshkujve, ndërsa refuzoi ankesat e klubeve lidhur me tarifat e reja të kotizimit, duke lënë në fuqi vendimin e marrë më 15 korrik./kryelajmi.com/.

You Might Also Like