Shkruan: Festim Shkodra, profesor i matematikës
Në Gjilan deri më 2014 funksiononte vetëm një gjimnaz, Gjimnazi ,,Zenel Hajdini”, ku mësonin mbi 2000 nxënës dhe punonin mbi 120 mësimdhënës. Ky gjimnaz posedonte një bibliotekë shkollore të pasur dhe kishte lexues të shumtë. Më 2014 pas përfundimit të objektit të ri shkollor, ky gjimnaz u nda në dy gjimnaze: Gjimnazin Shoqëror ,,Zenel Hajdini” që mbeti në objektin e vjetër dhe në Gjimnazin Natyror ,,Xhavit Ahmeti” që kaloi në objektin e ri. Gjimnazi Shoqëror trashëgoi bibliotekën shkollore në tërësi, ndërsa Gjimnazi Natyror mbeti pa bibliotekë.
Në Gjimnazin Natyror ,,Xhavit Ahmeti” tani mësojnë mbi 1000 nxënës dhe punojnë mbi 60 mësimdhënës. Nxënësit, mësimdhënësit dhe drejtoria e këtij gjimnazi duke qenë dashamirë të mëdhenj të librit vendosën të themelojnë bibliotekën e tyre shkollore. Ata në shenjë përkrahje sollën në shkollë vullnetarisht një numër titujsh nga bibliotekat e tyre familjare. Drejtoria e gjimnazit për këtë qëllim përgatiti një hapësirë të posaçme shkollore me sallën e leximit në të. Edhe unë duke qenë i punësuar profesor i matematikës në këtë gjimnaz, por njëkohësisht edhe vetë duke qenë një lexues i pasionuar, ndërmora një nismë të suksesshme për pasurimin e bibliotekës në themelim të këtij gjimnazi. Gjatë një vizite në Institutin Albanologjik në Prishtinë, duke çmuar kontributin e madh kombëtar të tij, vendosa të kërkoj ndihmën e këtij instituti për pasurimin e kësaj biblioteke. Aty hasa në mirëkuptim nga ky institucion yni kombëtar, i cili në tetor të këtij viti, i dhuroi këtij gjimnazi 270 libra, botime të viteve të fundit të këtij instituti. Këto janë botime me vlera të mëdha kombëtare dhe shkencore, 135 tituj të ndryshëm nga dy kopje, të cilat me kënaqësi do të priten nga lexuesit në këtë gjimnaz. Për këtë i falënderohemi shumë këtij instituti. Por biblioteka e këtij gjimnazi, ka nevojë edhe për tituj tjerë të fushave të ndryshme.
Nxënësit dhe mësimdhënësit e këtij gjimnazi me dëshirë që të pasurohet kjo bibliotekë edhe më tej, ftojnë edhe individë, shtëpi botuese, institucione tjera, kompani etj. që të ndjekin shembullin e mirë të Institutit Albanologjik në Prishtinë.
Nxënësit dhe mësimdhënësit e këtij gjimnazi ju falënderojnë paraprakisht për përkrahjen tuaj!