Pasi që është vendosur që kryendeshja Drita – Gjilani të zhvillohet në Lipjan, ku do të mungojnë adhuruesit e saj “Skifterët”, SC Gjilani ka dalë me një komunikatë zyrtare në të cilën është thënë:
Sport Club Gjilani ka pranuar zyrtarisht komunikimin nga Federata e Futbollit e Kosovës për zhvillimin e ndeshjes së xhiros së tetë në “Albi Mall” Superligë ndaj kundërshtarit FC Drita (Referuar më poshtë si klubi nikoqir).
Lokacioni për zhvillimin e takimit është caktuar stadiumi “Sami Kelmendi” në Lipjan, ndërkohë që me kërkesë të klubit nikoqir është vendosur që në stadium të jetë prezent vetëm një grupim i tifozërisë dhe në këtë rast është ndaluar prezenca e tifozëve në mënyrë të organizuar të cilët do jenë në mbështetje të klubit të Gjilanit.
Ftojmë gjithë mbështetësit e klubit, në veçanti grupimin “Skifterët” të mos veprojnë në afeksion, por të vazhdojnë mbështetjen dhe përkrahjen e ekipit edhe në format tjera, përveç asaj fizike në stadium.
Ne, do të vazhdojmë të mbetemi prapa politikave për afrimin e tifozëve më afër klubit, sepse mbështetja e tyre është e domosdoshme në të gjitha format.