Sportet luftarake

Idea Haziri ish-karateistja e KK Drita pushton majat e karatesë në Gjermani

Ish-karateistja e klubit “KK Drita”, Idea Haziri, po vazhdon me sukses rrugëtimin e saj sportiv në Gjermani, duke u shndërruar në një kampione me përmasa ndërkombëtare.

E konsideruar si një ndër talentet më të mëdha që ka nxjerrë klubi nga Gjilani(KK Drita), 12-vjeçarja u detyrua të emigrojë drejt Mynihut për shkak të rrethanave familjare. Ajo kishte nisur rrugëtimin në karate në vitin 2021, në moshën 7-vjeçare, nën kujdesin e trajnerëve Blerim Hajdari dhe Reshat Halili, të cilët hodhën themelet e saj si sportiste.

“Jam shumë e lumtur që kam pasur dy trajnerë shembullorë si Blerim Hajdari e Reshat Halili. Ata më mësuan ABC-në e karatesë dhe do t’ju jem mirënjohëse për jetë. Po ashtu, e përshëndes çdo garues në KK Drita, me të cilët kalova fillimet e karatesë”, u shpreh Haziri.

Pavarësisht moshës së re, ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme në sportin e Kosovës. Gjatë karrierës së saj vendase, Idea është shpallur katër herë kampione e Kosovës, ka fituar mbi 100 medalje në gara të ndryshme dhe është stolisur me medalje në Kampionatin Ballkanik.

Puna, disiplina dhe vullneti e kanë shoqëruar edhe në Gjermani, ku prej një viti e gjysmë po shkëlqen në tapetet gjermane. Vetëm përgjatë kësaj periudhe, ajo është stolisur me titullin e kampiones së Bajernit për vitin 2025, kampiones së Gjermanisë më 2026, kampiones së Bajernit më 2026, si dhe kampiones së Oberbayernit më 2026.

Trajneri i saj i parë, Blerim Hajdari, ka vlerësuar lart kontributin dhe potencialin e ish-nxënëses së tij. “Idea Haziri është një talente e jashtëzakonshme, e cila këtë talent po e dëshmon edhe në Gjermani. Atë e karakterizon puna, disiplina dhe synimet drejt majave të suksesit evropian e botëror. Ne si trajnerë dhe klub kemi pasur nderin ta kishim në mesin tonë dhe i dëshirojmë suksese kulminante”, u shpreh Hajdari.

Në rrugën e saj drejt majave në Mynih, ajo po mbështetet fuqishëm edhe nga prof. Salih Hasani (8 Dan), i cili me përvojën e tij po kontribuon në formimin e saj të plotë si sportiste.

Pavarësisht largësisë, Idea nuk ka shkëputur lidhjet me vendlindjen. Ajo mbetet e lidhur ngushtë me KK Drita, shokët, shoqet, trajnerët dhe kryetarin e klubit, Arsim Ibrahimi, duke u kthyer pa hezitim çdoherë kur ka gara në Kosovë për të përfaqësuar ngjyrat e klubit të zemrës.

Rasti i Ideas dëshmon edhe një herë traditën e suksesit të KK Drita në Gjilan, klub ky që vazhdon të prodhojë kampionë jo vetëm në rrafshin vendor, por tashmë edhe në atë ndërkombëtar.

You Might Also Like