Kamenicë

Kryetari Rahimaj nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me AIP, Kamenica pjesë e fazës pilote për publikimin proaktiv të dokumenteve

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), të përfaqësuar nga Komisionerja Krenare Sogojeva-Dermaku, në kuadër të fazës pilote për standardizimin e publikimit proaktiv të dokumenteve dhe informacioneve publike.
Komuna e Kamenicës është një nga institucionet partnere që po përfshihet në këtë fazë pilote, e cila synon zhvillimin dhe zbatimin e një modeli të unifikuar dhe të standardizuar të transparencës institucionale. Memorandumi parasheh që ky model të aplikohet nga Komuna në përmbushje të obligimeve që dalin nga Ligji për Qasje në Dokumente Publike.
Bashkëpunimi zhvillohet në kuadër të Planit të Veprimit të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (2026–2028), përkatësisht Zotimit 3, “Standardizimi dhe përmirësimi i publikimit proaktiv të dokumenteve publike dhe monitorimi i platformës së të dhënave të hapura”.
Në kuadër të fazës pilote, Komuna e Kamenicës do të përzgjedhë shërbimet publike që do të përfshihen në këtë proces, do të zbatojë udhëzuesin e standardizuar për publikimin proaktiv dhe do të përcaktojë zyrtarët përgjegjës për publikimin dhe përditësimin e informacionit. Po ashtu, Komuna do të përgatisë listën e dokumenteve që do t’i nënshtrohen publikimit proaktiv dhe do të vendosë procese të brendshme për rishikimin dhe përditësimin e rregullt të informacionit.
Ndërkaq, AIP do të ofrojë udhëzime të standardizuara, trajnime, asistencë teknike dhe metodologjike, si dhe do të monitorojë zbatimin e obligimeve për publikim proaktiv nga Komuna.
Ky bashkëpunim synon rritjen e transparencës institucionale, përmirësimin e qasjes së qytetarëve në informata publike, standardizimin e publikimit të informatave mbi shërbimet publike, si dhe forcimin e llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në monitorimin e institucioneve publike.

You Might Also Like