Fermerët kërkojnë më shumë mbështetje, pjesëmarrja në dëgjimin për buxhetin 2027 e ulët
Në kuadër të ciklit të dëgjimeve publike për planifikimin e buxhetit të Komunës së Vitisë për vitin 2027, sot është mbajtur debati me fermerët, me një pjesëmarrje relativisht të ulët të tyre.
Zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, i njoftoi të pranishmit lidhur me takimet që po zhvillohen në kuadër të dëgjimeve buxhetore, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe grupeve të interesit në përcaktimin e prioriteteve për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Drejtori i Bujqësisë, Naim Pira, e vlerësoi si shqetësuese pjesëmarrjen e vogël të fermerëve, sidomos duke pasur parasysh kërkesat dhe nevojat e shumta që ata kanë. Ai tha se, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët në këtë debat, Drejtoria e Bujqësisë në vazhdimësi ka ofruar mbështetje për fermerët, në përputhje me nevojat dhe mundësitë që lejon buxheti komunal.
Pira bëri të ditur se buxheti për bujqësinë në vitin 2027 pritet të jetë në nivel të njëjtë me atë të këtij viti. Ai foli edhe për sfidat financiare me të cilat po përballet komuna, veçanërisht ndikimin që mund të ketë kontrata kolektive në buxhetin komunal dhe në mundësinë e realizimit të projekteve të planifikuara.
Gjatë debatit u ngrit si kërkesë shqyrtimi i mundësisë për realizimin e një projekti për rregullimin me zhavor të një rruge bujqësore në pjesën Pozheran Viti, e cila do t’u shërbente fermerëve të kësaj zone.
Të pranishmit shfaqën interesim edhe për masat që komuna planifikon të ndërmarrë për subvencionimin dhe mbështetjen e fermerëve, veçanërisht në rastet kur ata pësojnë dëme nga fatkeqësitë natyrore. Në këtë drejtim u kërkua që edhe fermerët të bëjnë një vlerësim sa më real të dëmeve dhe kërkesave të tyre për kompensim.
Në takim u kërkua gjithashtu që përfaqësuesit e Kuvendit Komunal dhe institucionet lokale të ngritin më shumë zërin edhe në nivelin qendror, në mënyrë që problemet dhe nevojat reale të fermerëve të trajtohen dhe të mbështeten përmes politikave dhe programeve të institucioneve të nivelit qendror.
Dëgjimi i radhës dhe i fundit publik për planifikimin e buxhetit të Komunës së Vitisë për vitin 2027 do të mbahet nesër, e premte, nga ora 14:00, në sallën e Kuvendit Komunal, me qytetarët e Vitisë. Sh





