Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Gjilan, ku një grua ka humbur jetën pasi është rrëzuar papritur derisa po ecte në rrugë. Ajo ishte dërguar me shenja jete në spital, mirëpo, përkundër përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur të mbijetojë, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve, gjithçka ka ndodhur më 24 tetor 2026, rreth orës 18:30, në rrugën “Halil Alidema”.
Në atë kohë, një qytetar që po ndodhej në atë zonë kishte vërejtur gruan teksa po ecte përgjatë rrugës, kur ajo papritur ishte rrëzuar në tokë.
Menjëherë pas incidentit është angazhuar ekipi i ndihmës së shpejtë, i cili e ka marrë gruan dhe e ka transportuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku kishte mbërritur me shenja jete.
Personeli mjekësor ka ndërmarrë përpjekje për t’i ofruar ndihmën e nevojshme, por gjendja e saj ka përfunduar me fatalitet.
Rreth orës 19:10, mjekët kanë konstatuar vdekjen e 60-vjeçares.
Pas njoftimit, në rast janë angazhuar hetuesit e stacionit policor dhe ata rajonalë, të cilët kanë nisur veprimet për sqarimin e rrethanave.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është përcaktuar dhe pritet të sqarohet përmes ekzaminimeve mjekoligjore.





