Në Durrës janë mbledhur 40 piktorë e skulptorë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora në ekspozitën e përbashkët me titull “Pëllumbat e paqes”, e cila është mbajtur në Galerinë e arteve “Nikolet Vasia”.
Ekspozitën e ka hapur Alketa Tragaj, drejtoreshë e Galerisë, e cila ka theksuar se ko ekspozitë është një dëshmi ku artistët shqiptarë paraqesin më së miri identitetin e tyre kombëtar.
Ndryshe, mes morisë së pikturave, skulpturave, fotografive artistike, grafikave etj., artistët kishin sjellë copëza nga realitetet e qyteteve të tyre, personazhe të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar etj.
Me gjuhën e artit, artistët kërkonin të përcillnin mesazhe të forta për paqen në rajonin tonë dhe në botë.
Jetullah Haliti – Eti
Organizator i kësaj ekspozite ishte artisti i njohur gjilanas, kosovar e ndërkombëtar Jetullah Haliti – Eti, i cili ka thënë se globi ynë ka nevojë për qetësi, paqe dhe liri. Bota njerëzore duhet ta jetojë dhe përjetojë këtë natyrë të bukur.
Jetullah Haliti – Eti – “Pëllumbat e paqes”
Edhe profesori e piktori gjilanas, Avni Islami ka theksuar se më së pari duhet të krijojmë qetësi dhe paqe mes nesh, të duhemi më tepër, të bashkëpunojmë më tepër, të mos kemi ndarje mes shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë ata.
Avni Islami – Autoportret
Avni Islami – “Skënderbeu në sulm”
Avni Islami – “Qetësia në natyrë”
Shumë prej artistëve pjesëmarrës kishin udhëtuar nga larg, për të qenë të pranishëm në këtë ekspozitë të hapur në Durrës. Për një nga artistët më të rinj, Blendi Zogaj, pjesëmarrja në këtë event kulturor mbart një emocion të veçantë, pasi një nga veprat me të cilat u prezantua ishte pikërisht Kulla Veneciane, një nga monumentet më të rëndësishme të Durrësit.
“Ju bashkangjita këtij projekti meqë disa prej artistëve paraqiten me vepra artistike frymëzuar nga historia. Njëkohësisht desha të prezantoj diçka për paqen dhe prandaj kam realizuar maketin “Pëllumbat e paqes” për të prezantuar Kosovën dhe Unionin e artistëve pa kufi”, – tha ndër të tjera Zogaj.
Krahas ekspozimit të dhjetëra veprave të artit, një hapësirë e veçantë iu kushtua gjatë hapjes së ekspozitës librit “Qyteti i vuejtjes”, i autorit Mark Zadeja.
Ekspozita “Pëllumbat e paqes” do të qëndrojë e hapur disa ditë në qytetin bregdetar për të udhëtuar më pas drejt destinacionit të radhës.
Burimi: durreslajm.al