Futboll

Çfarë pritet të sjellin ndeshjet e mbetura Drita – Ballkani dhe Fushë Kosova – Gjilani

Cikli i parë prej nëntë ndeshjes në Superligën e Kosovës në futboll është mbyllur, por jo i plotë, ngase katër ekipe, Ballkani, Drita, Gjilani dhe Fushë Kosova duhet të zhvillojnë edhe nga një ndeshje.

Në xhiron e parë të këtij edicioni ishte shtyrë ndeshja Fushë Kosova – Gjilani, ngase SC Gjilani po kalonte nëpër një periudhë të vështirë të organizimit dhe me kërkesë të klubit gjilanas e me mirëkuptimin e Federatës kjo ndeshje ishte shtyrë për më vonë. Tashti, në faqen e SC Gjilanit është bërë me dije se kjo ndeshje do të luhet të mërkurën, më 11 tetor.

Fushë Kosova që është e fundit në tabelën e klasifikimit me vetëm 2 pikë, shpreson në rezultat pozitiv, i cili do të bënte që t’u afrohej sadopak ekipeve që kanë më shumë pikë se ajo, derisa edhe Gjilani që tashmë është konsoliduar me arkëtimin e pikëve të plota do të mëtonte mesin e  tabelës.

Është interesant se këto dy ekipe do t’i luajnë dy ndeshje radhazi, ngase edhe ndeshja në kuadër të xhiros së dhjetë do të zhvillohet menjëherë pas saj, por kësaj radhe në Gjilan, SC Gjilani – Fushë Kosova.

Nuk është zhvilluar as ndeshja e xhiros së tretë Drita – Ballkani e që do të ishte kryendeshja e tërë sezonit. Ballkani është i zënë në kuadër të garave të Europa Conference League dhe gjeti mirëkuptimin që ndeshja me Dritën të shtyhet për më vonë. Tashti kur Ballkani është futur në fazën e grupeve dhe kur ka lojtarë të Ballkanit që janë ftuar në përfaqësuesen e Kosovës nuk dihet se kur do të zhvillohet kjo ndeshje, pas së cilës do të mund të kishte ndërrim në kreun e tabelës. Ballkani prinë në tabelë me 20 pikë, kurse Drita është e treta me 18 pikë dhe me fitore eventuale do të dilte në pozitën e parë. Të dy ekipet janë në formë shumë të mirë, andaj kjo ndeshje do të ishte e mirëseardhur që të zhvillohej sa më parë./kryelajmi.com/

You Might Also Like