Muzikë

Diell Jerliu, fitues i çmimit të parë të Festivalit të Këngës për Fëmijë “Xixat e Flakës”  

 

 Gjilan, 29 janar / Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni e në kuadër të Manifestimit Shumëkulturor “Flaka e Janarit” sonte në Gjilan është mbajtur Festivali i Këngës për Fëmijë “Xixat e Flakës”, i cili këtë vit kishte karakter garues.  

Kryetari Komunës, Alban Hyseni ka thënë se “Xixat e Flakës” është koncert unik i cili tubon artistë të vegjël, të cilët u këndojnë heronjve, i këndojnë vendit dhe botës së tyre fëmijërore.  

Aktivitetet e tilla shfaqin talente të vegjël, të cilëve me anë të këtyre koncerteve iu hapen dyert për të performuar edhe në salla më të mëdha në një të ardhme të afërt, ka nënvizuar ai. 

Në këtë festival janë paraqitur solistë të vegjël nga të gjitha trevat e Kosovës, të cilët  interpretuan këngë që i kushtohen atdhedashurisë dhe figurave tona kombëtare, por edhe këngë që i kushtohen botës së tyre fëmijërore.  

 Kushtrim Jakupi, drejtor ka thënë se është kjo hera e parë që Festivali kishte karakter garues, kjo me qëllim që të nxiten kompozitorët dhe fëmijët në krijime sa më cilësore të këtij lloji të muzikës.  

 Pas interpretimet të këngëve, juria përzgjedhëse ka vlerësuar këngët më të dalluara.   

 Kështu, çmimi i parë i është ndarë solistit Diell Jerliu, i cili ka interpretuar këngën “Dëshira ime”, kompozitor i së cilës ishte Hekuran Bllaca.  

Çmimin e parë këtij solisti ia ndau kreu i komunës, Alban Hyseni, i cili e ka përcjellë festivalin bashkë me familjen e tij.  

Vendin e dytë e zuri kënga e kënduar nga Eja Kida, e cila është titulluar maskat e kompozitorit Mentor Latifi.  

Çmimin e tretë e ka fituar kënga “Ëndërroj” e kënduar nga Alejna Prizreni me kompozitor Nexhi Vuniqi.  

 Në mbrëmjen e fundit të Manifestimit Shumëkulturor “Flaka e Janarit 2022” këtë të hënë më 31 janar do të mbahen dy aktivitete “Pena e Flakës – Ora e Madhe Letrare dhe “Fest Flaka” – Koncert i Muzikës Popullore.  

 

 

You Might Also Like