Sportet me dorë

KV Drita mundi klubin Nakovski Volley në Kupën Ballkanike

KV Drita e ka nisur me fitore aventurën në BVA Balkan Cup Women 2026, duke triumfuar ndaj skuadrës maqedonase Nakovski Volley me rezultat 3–1.

Drita e nisi ndeshjen mirë, por Nakovski Volley arriti të menaxhojë më mirë fazën e parë të setit dhe ta marrë atë me 25:20, duke kaluar në epërsi.

Reagimi i Dritës ishte i menjëhershëm në setin e dytë.
Gjilanaseve iu deshën vetëm pak aksione për të marrë kontrollin e lojës, ndërsa me ritëm më të lartë dhe efikasitet në sulm e dominuan setin, të cilin e fituan bindshëm 25:15, duke barazuar rezultatin.

Në setin e tretë, Drita vazhdoi me lojë të sigurt dhe gradualisht krijoi epërsinë e nevojshme.

Nakovski tentoi të rikthehej në lojë, por skuadra kosovare ruajti qetësinë në momentet vendimtare dhe e mbylli setin 25:20, duke kaluar në avantazh 2–1.

Edhe seti i katërt solli një paraqitje të mirë të Dritës. Gjilanaseve iu desh të punonin për çdo pikë, por në pjesën vendimtare treguan më shumë qetësi dhe koncentrim, duke e fituar edhe këtë set 25:20 dhe ndeshjen me 3–1.

Me këtë fitore, Drita e nis me këmbë të mbarë garën në Strumicë dhe nesër e pret një tjetër përballje e fortë.

Në ditën e dytë të BVA Balkan Cup, Drita do të përballet me Olympiacos-in e Greqisë, skuadër e cila sjell një tjetër sfidë të rëndësishme për gjilanaset në garën për trofeun.

Ndeshja zhvillohet nesër, 7 tetor, nga ora 17:00, ndërsa Drita do të kërkojë fitoren e dytë radhazi për të vazhduar rrugëtimin drejt triumfit në BVA Balkan Cup.

🏆 Fituesi i BVA Balkan Cup do të përballet me Benfica-n e Portugalisë në Challenge Cup.

#FVK #BVA #BVACup #KVDrita #ChallengeCup #Kosova #Volleyball

You Might Also Like