Gjilan

Këshilltarët e PDK-së në Gjilan bllokojnë foltoren, pozita i cilëson uzurpatorë bllokues dhe të dhunshëm

Bujar Nevzati, këshilltar nga radhët e PDK-së, ka theksuar se seanca nuk do të mund të vazhdohet, ngase siç ka thënë ai kanë kaluar gjashtë muaj dhe kryetari i komunës Alban Hyseni nuk ka dhënë raport për vitin 2025. Ai ka kërkuar që një gjë e tillë të futet në rend të ditës, mirëpo kryesuesja e Asamblesë Komunale të Gjilanit ka theksuar se një gjë e tillë nuk ka kaluar në votim dhe kërkonte që të lirohej foltorja dhe t’u jepej fjala këshilltarëve të tjerë.

Kryesuesja ka thirrur pesë minuta pauzë dhe konsultime, por përfaqësuesit e PDK-së nuk kanë lëshuar foltoren dhe seanca përkohësisht është ndërprerë.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, më pas ka dalë me një qëndrim në të cilin këshilltarët që e bllokuan foltoren i ka cilësuar uzurpatorë bllokues dhe të dhunshëm.

Sipas Hysenit, ajo që ka ndodhur sot në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal të Gjilanit nuk ishte opozitarizëm, por uzurpim i institucionit dhe pengim me dhunë i punës së Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Tërheqja me forcë e mikrofonit dhe mjeteve të punës, si dhe skena ku katër burra ushtrojnë presion ndaj një gruaje të vetme, Kryesueses së Kuvendit të Komunës, Krenare Latifi Kqiku, janë të papranueshme në çdo standard demokratik. Këto veprime nuk përfaqësojnë debat politik, por tentativë për ta zëvendësuar fjalën me forcën.

Qytetarët e Gjilanit nuk na kanë zgjedhur për të parë bllokada e dhunë. Na kanë zgjedhur për të marrë vendime, për të punuar dhe për t’u shërbyer atyre.

Institucionet nuk do t’i dorëzohen uzurpatorëve. Puna për Gjilanin do të vazhdojë me vendosmëri, në respekt të ligjit, demokracisë dhe dinjitetit të çdo përfaqësuesi të zgjedhur. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like