Derbi i javës së njëmbëdhjetë i Albi Mall Superligës së Kosovës në Futboll ndërmjet Prishtinës dhe Dritës që u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali ka përfunduar me fitore bindëse të FC Dritës me rezultat 3:0.
Ndeshja nisi e hapur nga të dy palët dhe që në minutën e tretë Fazlija qëlloi shtyllën e majtë të Malokut dhe topi shkoi jashtë. Në minutën 20 rrezikuan Blerim Krasniqi e Jashari të Dritës, por gjuajtja e këtij të fundit shkoi mbi portë e në minutën 30 Saletiq harkoi për Selmanin, por gjuajtja e tij me kokë shkoi jashtë portës.
Drita po bënte trysni në fushë, duke qenë më këmbëngulëse dhe si rezultat fitoi një goditje nga këndi. Krejt kjo po ndodhte në minutën 37 e pas harkimit nga këndi të Besnik Krasniqit, në brendi me kokë më së larti kërceu Blerim Krasniqi, i cili qëlloi me kokë dhe dërgoi topin skaj pingules së majtë të portës së Iliazit, duke e sjellë në epërsi ekipin e Dritës 1:0. Më pas Drita pati edhe një rast të mirë, kur Nguena vodhi një top, gjuajti furishëm, por goditja e tij ishte shumë qendrore.
Në minutën 51, në dy raste Prishtinën e shpëtoi transversalja e më pas edhe shtylla, kur pas një aksioni shumë të mirë, topi sikur nuk deshi që të futet në rrjetë. Në minutën 62, qendërsulmuesi i Prishtinës e humb topin në pjesën e sulmit, Igball Jashari që ia vodhi topin niset para me shpejtësi dhe në momentin e duhur e shërbeu Liridon Balajn, i cili gjuajti me të majtën dhe qëlloi rrjetën për rezultatin 0:2.
Drita ka trefishuar rezultatin në minutën 85, kur Nguena me një veprim mashtrues ka shpërthyer nga e majta dhe me një gjuajtje të saktë, mbi duart e portierit Iliazi ka shënuar gol të bukur për 0:3. /kryelajmi.com/.





