Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, mirëpriti pronarët e kompanisë DAiF SV L.L.C. dhe ekipin punues të projektit për zhvillimin e një qendre moderne të të dhënave dhe infrastrukturës së inteligjencës artificiale në Sllatinë.
Në takim morën pjesë drejtori ekzekutiv, presidenti, drejtori i operacioneve dhe përgjegjësi për partneritete i Dardania AI, si dhe drejtori ekzekutiv i Beacon Hill Industries.
Sipas planeve të kompanisë, projekti parashikon investime miliardëshe për zhvillimin e një “AI Factory”, me teknologji të avancuar për përpunimin, ruajtjen dhe menaxhimin e të dhënave, duke synuar bashkëpunimin me kompani udhëheqëse të teknologjisë botërore.
Me synim krijimin e mbi 3 mijë vendeve të reja të punës, realizimi i projektit do ta poziciononte Vitinë si një qendër të rëndësishme të ekonomisë digjitale dhe do të hapte mundësi për punësimin e të rinjve, angazhimin e profesionistëve dhe zhvillimin e bizneseve vendore.
Në funksion të avancimit të projektit, më 26 tetor 2026, Kuvendi Komunal miratoi vendimin për dhënien e pëlqimit institucional dhe mbështetjes komunale për investimin e propozuar nga DAiF SV L.L.C. Ky vendim përbën një hap konkret për zhvillimin e mëtejmë të projektit, duke përcaktuar angazhimin e organeve komunale dhe trajtimin me prioritet administrativ të dokumentacionit, në përputhje me ligjin.
Angazhimi i kryetarit Haliti për tërheqjen e investimeve në teknologji synon ta lidhë të ardhmen e Vitisë me inovacionin, dijen dhe punësimin. Në qendër të kësaj përpjekjeje janë të rinjtë, që të kenë mundësi të zhvillohen profesionalisht dhe ta ndërtojnë të ardhmen në vendlindje.Aziz ZUKA



