Ferronikli ishte në rrugë të mbarë që së paku të nxjerrë një pikë në ballafaqim me Dritën, por në fund, ekipi që drejtohet nga Sylejman Starova doli të jetë i mposhtur, kurse trajneri shqiptar beson se ekipi i tij meritoi më shumë.
“Nuk ishte çështje fati, ne e përgatitëm shumë mirë lojën dhe e dinim se është situatë e vështirë, ngase jemi në fund të kampionatit dhe dua të flas me pastërti, sinqeritet e siç e ndjej. Erdhëm të marrim pikët tona e jo të luajmë për njëri-tjetrin. Bëmë një pjesë të parë të shkëlqyeshme, u vendosëm shumë mirë e në pjesën e dytë unë kam qenë i bindur se këtu nuk ka dukuri negative si në Shqipëri se atje gjyqtarët ia marrin ndeshjen edhe Real Madridit e Barcelonës dhe e kanë të shkruar në ballë e edhe ky i sotmi e kishte të shkruar në ballë. Nuk ecet para kështu, dëmtohet gara, dëmtohet çdo gjë. Për Dritën e kam respektin më të madh, është nga skuadrat më të mira në Kosovë, por jemi në garë dhe është gjynah që dikush të mundet pa meritë”, tha Sylejman Starova.