Është mbyllur me rezultat të barabartë pjesa e parë e ndeshjes Drita – Prishtinë, lojë kjo që është dashur të luhet në xhiron e dytë, por që shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të Dritës, ajo ishte shtyrë.
Minuta e shtatë e ndeshjes solli një dush të ftohtë për Dritën, ngase ish-lojtari i tyre Blend Baftiu shënoi për ekipin kryeqytetas. Ai ka shënuar gol shumë të bukur, kur pas një gjaujtje nga këndi topi është dëbuar dhe Baftiu ishte në vendin e duhur për të gjuajtur me të parën dhe për të sjellë ekipin e vet në epërsi 0:1.
Drita ia ka dalë që të barazojë në minutën 19, pas një aksioni të ndërtuar mirë. Kombinimi i dyfishtë në mes të Balajt dhe Besnik Krasniqit, bëri që qendërsulmuesi Blerimi Krasniqi të fitojë në top të mirë në brendi dhe nga afërsia me urtësi e dërgoi topin në rrjetë për 1:1, që ishte rezultat i pjesës së parë./kryelajmi.com/



