OPINION

Të realizohet pensionimi i parakohshëm i mësimdhënësve me diagnoza të sëmundjeve të rënda

 

Të nderuar mësimdhënës dhe ju mësimdhënëse,

ka kohë të gjatë që e adresoj pensionimin e parakohshëm të mësimdhënësve me probleme afatgjata shëndetësore. Ju e dini se nuk ka më keq se ta shihni kolegen apo kolegun e juaj në atë gjendje të rëndë shëndetësore, e të detyrohet të jap mësim. Shëndeti mbi të gjitha, ka qenë dhe mbetet parimi më universal për njerëzit. Prandaj, e inkurajoj Ministrin e MASHT-it, që atë deklarim mediatik se do ta zgjidh këtë problem, ta zgjidh urgjentisht dhe me hapa konkretizimi. Ne kemi këto propozime: 1. Të iniciojë projektligj të ri, që mund të jetë analog me a) Ligjin për Pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë; b) Ligjin për Pensionet e Personave me Aftësi të kufizuara etj., e që për pensionimin e parakohshëm të mësimdhënësve me sëmundje, do të mund të emërtohej: Ligji për Pensionet e Mësimdhënësve, ose Ligji për Pensionet e Parakohshme të Mësimdhënësve. Një mënyrë tjetër është plotësim-ndryshimi i Ligjit të Punës, pasi sikurse përmendet në këtë ligj, sektori publik, përfshin edhe sektorin e arsimit.

Të nderuar mësimdhënës,

po ashtu, propozoj që pensionimi i parakohshëm deri në pensionimin e zakonshëm, të jetë me pagë krejtësisht të njëjtë, ndërsa pas moshës së pensionit normal, të jetë sikurse për rastet e tjera e të ngjashme.

Këtë që po e shkruaj këtu e kam kërkuar edhe më herët, por edhe në vazhdimësi, do të jap kontributin tim, që sa më parë të realizohet pensionimi i parakohshëm i mësimdhënësve me diagnoza të sëmundjeve të rënda. Duhet të ndalet detyrimi i tyre për të ardhur në shkolla, në atë gjendje, si dhe duhet të kenë mbrojtje sociale dhe ekonomike nga shteti, për të jetuar dinjitetshëm dhe për ta sfiduar sëmundjen.

Valentina Bunjaku – Rexhepi, deputete

You Might Also Like