Gjilanin vazhdon ta përcjell mosuksesi në ballfaqim me Prishtinën, të cilën nuk ia ka dal që ta mposht asnjëherë në ndeshje kampionale.
Një gjë të tillë nuk e bëri as këtë të premte në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë, ku u përball me ekipin kryeqytetas që në këtë ndeshje ishte vendas.
Ekipi bardh e kuq nga Gjilani është ndëshkuar mjaft herët, ngase ka pësuar që në minutën e dytë të ndeshjes. I rikthyeri te Prishtina, Armend Dallku ka harkuar nga e majta, kurse Liridon Kukaj ka shfrytëzuar vendosjen jo të mirë të mbrojtjes vendase dhe nga afërisa ka shënuar për tokë për rezultatin 1:0. Ndeshja në pjesëlojën e parë ka qenë e barazpeshuar, por deri në përmbyllje të saj shënime të tjera nuk pati, përkundër se të dy ekipet janë munduar të rrezikojnë.
Pjesëloja e dytë nisi me një mbizotërim të Gjilanit, por pa ndonjë konkretizim përkundër disa gjysmërasteve që i pati ekipi mysafir. Sulmet e Gjilanit ishin të zbehta dhe rëndom përfundonin para mbrojtjes së Prishtinës dhe pa ndonjë gjuajtje në portë, derisa ekipi vendas i kënaqur me rezultatin e ndeshjes, si rëndom në këso lloj ndeshjesh nisi me zhagitjen e lojës.
Në minutën e fundit të ndeshjes, pas një harkimi nga këndi, Betim Haxhimusa gjuajti me kokë, por topi që u përplas në transversale ra mu para vijës së portës dhe ky rasti që ishte edhe më i miri i gjilnasëve shkoi huq.