Gjilan

I bashkoi statuti, por jo edhe buxheti

Kuvendi Komunal i Gjilanit, të enjten, në seancën e radhës, të udhëhequr nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese, ka miratuar iniciativën e kryetarit Lutfi Haziri për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës, rregulloren për tatimin në pronë për vitin 2017, buxhetin 2017, raportin e punës janar-qershor 2016 të Komisionit të Aksionarëve të NPL “Stacioni i Autobusëve”, planin e veprimit për energji të qëndrueshme, vendimin për lejimin e shfrytëzimit të dy pronave komunale, njëra për nevoja të kishës ortodokse në fshatin Cërrnicë dhe tjetra për nevoja të ndërtimit të një xhamie në fshatin Nasalë.

Kuvendi diskutoi edhe për raportin e auditimit të pavarur për vitin 2015 si dhe u informua për fillimin e vitit të ri shkollor, përkatësisht për përfundimin e korrje-shirjeve të sivjetme. Kurse raporti i Komisionit të Aksionarëve të kompanisë “Ecohigjiena”, përkatësisht debati për gjendjen në këtë kompani, ku ka edhe greva të punëtorëve, u shty për një seancë të veçantë.

Paraprakisht, Kuvendi votoi për përjashtimin nga seanca të këshilltarit Srgjan Mitroviq, për shkak se ai udhëheq strukturat paralele serbe.

Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha se Mitroviq duhet të deklarohet se është vetëm anëtar i Kuvendit Komunal dhe se këtu mbron interesat e komunitetit serb dhe nuk përfaqëson interesa të strukturave paralele në Kosovë, të cilat janë ilegale.

Propozimin-buxhetin për vitin 2017, ku një pjesë e opozitës votoi kundër, e ka prezantuar Zijadin Maliqi, drejtor për Financa, i cili ka thënë se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë 22.657.746 euro ose 6.1 për qind më i madh se i vitit 2016, përkatësisht 1.3 milion.

Maliqi tha se për të arritur deri ë Kuvend Komunal, propozim-buxheti ka kaluar nëpër një proces të gjatë, përfshirë edhe 13 dëgjime publike me qytetarë, për t`i dëgjuar kërkesat e tyre dhe për t`i projektuar ato në prioritetet e vitit të ardhshëm.

Në dy vitet tjera, buxheti do të ketë një rritje të lehtë prej 2 për qind më 2017, përkatësisht një për qind më 2018, në krahasim me vitet paraprake. Të hyrat vetanake do të jenë më të larta për 15 për qind, përkatësisht do të jenë 4.6 milionë, kurse investimet kapitale shënojnë një rritje prej 22 për qind, ka thënë Maliqi.

Ngarkesë shtesë për buxhetin e Komunës, sipas Maliqit, paraqet granti për arsim, i cili sipas formulës që zbaton MASHT-i nuk i plotëson nevojat e kësaj Komune, ku mësimi zhvillohet në katër gjuhë mësimore, prandaj duhet të merren mjete nga granti i përgjithshëm dhe të hyrat vetanake, por kjo i dëmton investimet kapitale.

Avdyl Aliu (LDK) tha se grupi i këshilltarëve të këtij subjekti i jep përkrahje këtij propozim buxheti. “Shifrat kam pasur rast t`i dëgjoj edhe nëpër debate publike dhe me rëndësi është që kërkesat e qytetarëve janë marrë parasysh”, ka thënë ai.

Projekt-buxheti ka marrë përkrahje edhe nga grupi i këshilltarëve të AAK-së. “Ne mirëpresim veçmas rritjen e investimeve kapitale dhe uljen e shpenzimeve komunale, ka thënë Selami Xhemajli.

Këshilltarët e opozitës kanë pasur vërejtjet e tyre. Riad Rashiti (PDK), në emër të grupit të këshilltarëve të këtij subjekti, e ka vlerësuar të papranueshëm projekt-buxhetin, duke thënë se nuk i plotëson nevojat e qytetarëve dhe nuk ofron perspektivë për zhvillim.

Kurse Krenare Latifi, në emër të grupit të këshilltarëve të VV, po ashtu në opozitë, ka thënë se ky buxhet nuk është për t`u lavdëruar. “Nëse kjo qeverisje ka problem për t`i inkasuar të hyrat vetanake, atëherë është dashur të planifikohet një rritje më e vogël”, ka thënë Latifi.

Në debatin për buxhetin kanë marrë pjesë edhe Fatbardha Selmani (PDK), Nevzad Isufi (VV), Sahit Abazi (PDK), Nevzad Rushiti (LDK) dhe të tjerë, të cilët kanë ngritur edhe çështje konkrete.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se ky buxhet nuk është i mjaftueshëm, aq më pak kur duhen rreth 3 milionë euro për t`i mbuluar mungesat e mjeteve te disa kategori, siç është arsimi, por kaq janë mundësitë buxhetore të Kosovës.

Haziri ka thënë se investimet e mëdha, siç janë ujërat e zeza, uji i pijes, rrugët regjionale, autostrada dhe projekte të tjera, nuk bëhen nga buxheti i Komunës, por me ndihmën e donatorëve, përkatësisht qeverinë e Kosovës, duke shtuar se nga tetori e tutje, në Gjilan do fillojnë projekte të mëdha.

Nismën për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës, si nevojë për rithemelimin e drejtorive të Kulturës dhe të Inspeksionit, të cilin e ka arsyetuar kryetari i Komunës, Lutfi Haziri e ka përkrahur edhe opozita (PDK e VV), duke rikujtuar se ata kanë qenë kundër riorganizimit të këtyre dy sektorëve, para tri vitesh.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se dekoncentrimi i këtyre sektorëve, nuk i ka arsyetuar pritjet e tij. Ai ka dhënë sqarime edhe për anulimin e konkursit për drejtor të Teatrit, duke thënë se ka qenë i detyruare ta bëjë këtë për shkak të anomalive që ka bërë komisioni gjatë poentimit të kandidatëve. Disa janë poentuar me maksimumin e pikëve, disa të tjerë m zero pikë, ka thënë Haziri.

Sahit Abazi (PDK) tha se opozita e kishte konsideruar gabim shuarjen e dy drejtorive, ndërkohë që ka pyetur se çka do të ndodh me “task-forcën” në kulturë, pasi drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të themelohet përsëri.

Nevzad Isufi (VV) tha se nismës është dashur t`i bashkëngjitet edhe një propozim i arsyetuar për nevojën e rikthimit të këtyre sektorëve në nivel drejtorish, ndërkaq Fehmi Sylejmani vlerësoi se shpërndarja e këtyre dy drejtorive është pasuar me dështime në sektorin e Kulturës dhe te Inspekcioni.

Nevzad Rushiti (LDK) vlerësoi se gjendja në këta sektorë është stabilizuar mjaft mirë, në krahasim me gjendjen e mëhershme.

Sa i përket “task-forcës” Haziri tha se ajo do të shuhet pasi të themelohet drejtoria e Kulturës, sepse nuk e ka arsyetuar punën e vet.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, duke i ftuar këshilltarët për votim, ka thënë se sot nuk miratohen ndryshimet në statut, por vetëm nisma për t`i bërë këto ndryshime dhe plotësime, të cilat do t`i përgatis komisioni.

Sa i përket projekt-rregullores mbi tatimin në pronë, që sipas Zijadin Maliqit, drejtor për Buxhet, mbetet kryesisht e njëjtë me vitin e kaluar, Nevzad Isufi (VV) ka thënë se mungon një analizë e mirëfilltë, për t`i parë të metat e kësaj rregullore dhe për t`i marrë parasysh edhe vërejtjet e qytetarëve. Sipas tij, te disa kategori duhet të aplikohen norma stimuluese.

Kuvendi diskutoi edhe për raportin e auditimit të pavarur për vitin 2015. Haziri kërkoi që raporti të lexohet drejt dhe të mos përdoret nga opozita për të sulmuar qeverisjen. “Ne i kemi pranuar rekomandimet e auditorit dhe shumicën e tyre i kemi realizuar”, ka thënë kryetari Haziri.

Planin e veprimit për energji të qëndrueshme e ka prezantuar Agim Zuzaku, drejtor për Zhvillim Ekonomik, i cili ka thënë se qëllimi i kësaj strategjie është kursimi i energjisë elektrike dhe reduktimi për 20 për qind i CO/2.

Informatën për fillimin e vitit të ri shkollor e ka dhënë Shqipe Kastrati-Haziri, ushtruese e detyrës së drejtorit, duke thënë se falë përgatitjeve të duhura dhe me kohë, mësimi ka nisur mirë dhe mbarë në të gjitha shkollat.

Shqetësimeve të opozitës për kampusin e shkollave të mesme dhe disa probleme të tjera në arsim, që i kanë ngritur Leonora Bunjaku (PDK), Nevzad Isufi (VV), Bujar Nezati (PDK) dhe të tjerë, u ka dhënë përgjigje Lutfi Haziri, i cili ka thënë se ideja nuk ka qenë që të ndahen nxënësit dhe të kufizohet personeli, por për të krijuar një hapësirë unike që e ndan shkollën nga pjesa tjetër e qytetit.

Sa u përket ankesave për kufizim të lëvizjes, ai ka thënë se këto reagime janë të nxitura nga kafiteritë jashtë shkollës, për interesa të tyre.

You Might Also Like