Doli nga shtypi libri i MEHMETALI REXHEPIT: “SYPRINAT”, Tregime, mbështetur nga MINISTRIA E KULTURËS RINISË DHE SPORTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, botim i ShB “ROZAFA”, Prishtinë, 2026, fq. 260
…Libri me tregime “SYPRINAT”, i autorit Mehmetali Rexhepi, dëshmon fuqimisht se fuqia e letërsisë buron pikërisht përtej vëzhgimit sipërfaqësor, atëherë kur syri krijues depërton nën syprinë për t’ia afruar brendësinë apo për të prekur të panjohurën. Në secilin prej gjashtë kapitujve të këtij libri autori Rexhepi e grishë lexuesin ta njoh natyrën njerëzore në shumë dimensione të saj, që herë-herë të duket që është vetë përvoja e autorit, apo ajo së paku përngjason me fatet e njerëzve të këtij relievi të përjetuara në rrethana të jashtëzakonshme. Duke u liruar nga çdo ngjashmëri e rastit, krijimet e Rexhepit duhet të shikohen si një mëtim për të krijuar një letërsi të pastër, larg gjuhës triviale dhe larg portreteve arkaike. Rrëfimi i tij lëvizë në hapësirat sa sureale, absurde apo edhe shpesh virtuale të pabesueshme për bindjen njerëzore. Në kapitullin e parë, Mëtime nën shpata rrëfimtari na sjell tregime nga zyrat e hetuesisë aty ku ngjanë përballja e idealit me hetuesinë, me prapaskenat e kurdisjeve.
Dialogët nën brava sprovojnë njerëzoren kundruall provokimeve jonjerëzore. Autori krye-personazhin e emërton me emrin Moti, i cili shpesh shfaqet prej tregimi në tregim, i ndjekur nga Dytëshori që del të jetë një zgjidhje e rrallë për kipcin e njeriut. Pavarësisht se a është ky kipc i brendshëm apo i jashtëm, Dytëshori shfaqet për të zgjidh dilemat apo për të sfiduar kodet e kurdisura. Kifer, Miles, Nad, etj., janë emra të përmbysur si metaforë të karaktereve të përmbysura të njerëzve të shitur, të pa karakter dhe torturues fizik dhe psikik, të cilët herë përdorin joshjen e herë kërcënimin për vdekje…





