Jo më larg se para një viti ëndërronin Evropën e tash Klubit të Hendbollit Drita po i vihet dryni. Gjendja duket e pashpresë, ngase KH Drita po përballet me vështirësi të mëdha financiare, andaj duket se klubi i vetëm gjilanas i hendbollit ndër meshkuj vështirë se do t’i nis garat.
Një gjendje e tillë në klub e ka prekur tej mase edhe kapitenin e ekipit, portierin Arbër Sylejmani, i cili ka shkruar një letër lamtumirëse.
“Në rend të parë ju faleminderit të gjithëve që ishit me ne dhe për ne gjatë gjithë kohës, që ndatë minutat më të vlefshëm të jetës tuaj për të na realizuar ëndrrat tona, të cilat deshëm apo nuk deshëm tashmë po shuhen. Gjithmonë e kam menduar se letra lamtumirës do të ishte ndryshe dhe jo në këtë formë, pasi që zemra më dhemb edhe më shumë kur e mendoj se klubi për të cilin jetuam dhe vepruam mund të mos ekzistojë më. Siç edhe keni dëgjuar Klubi i Hendbollit “Drita” është në prag të shuarjes për shkak të krizës së madhe financiare nëpër të cilën ndodhet. Të gjitha përpjekjet dhe sakrificat e bëra po shkojnë drejt fundit sepse ndjehemi të dorëzuar pranë një gjendje katastrofale në sportin e qytetit të Gjilanit që lejon të shuhet njëri ndër klubet ikonike të këtij qyteti. Unë ende nuk e besoj dhe nuk mund ta imagjinoj shuarjen, por nga dita e ditës dëshpërimi po mund shpresën. Shpresën për të ardhmen e të rinjve të shumtë gjilanas që e duan hendbollin. Shpresën të cilën të gjithë po e presim…
Lamtumirë Drita jonë!”, ka thënë Sylejmani.