Gentjan Mezani e quan të pafalshëm barazimin, derisa thekson se skuadra e tij ishte më e mirë se kundërshtari dhe se e meritoi ta fitonte ndeshjen.
“Kemi falur dy pikë në fushën tonë. Shpresojmë mos të falim pikë më në shtëpi. Është e papranueshme, sepse kishim lojën në dorë. Me pak qetësi do ta kishim fituar ndeshjen. Megjithatë në fund duhet të mbetemi të kënaqur se Drenica është një skuadër e vështirë për tu mundur dhe sot e ka faktuar”, deklaroi Mezani.
Më pas Mezani foli edhe për golin e pranuar, teksa pati disa fjalë edhe për ‘gardianin’ Kenan Haxhihamza.
“Nuk mund ta kërkojmë fajtorin, pasi që ne kemi humbur si skuadër dhe nuk na takon ta gjejmë fajtorin. Haxhihamza na ka shpëtuar në disa ndeshje të tjera, është një portier me shumë cilësi dhe assesi nuk mund të hedhim gishtin nga ana e tij për golin e pranuar. Ne japim moral kushdo që gabon, sepse jemi si grup dhe si të tillë do të vazhdojmë përpara”, përfundoi Mezani.