Gjilan, 11 janar 2019 – Me ndezjen e flakadanëve në ballkonin e Teatrit të Qytetit, te shtatoret e heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe te Varrezat e Dëshmorëve, në Gjilan zyrtarisht ka nisur Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2020”, që është i 29-ti me radhë, nëpërmjet të cilit me vlera të mirëfillta kulturore nderohet jeta dhe vepra e të rënëve për liri.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi, ka theksuar se me këtë manifestim nderohen të gjithë ata që dhanë kontribut për liri, nga epoka e lavdishme e Skënderbeut e deri te periudha më e re e Kosovës.
“Ky vit do të jetë më i veçantë. Edhe kësaj radhe “Flaka e Janarit” do të vijë me aktivitete të ndryshme kulturore, duke u mbështetur në katër shtyllat e saj letërsi, muzikë, art pamor dhe art dramatik. Ju ftoj që të përcillni aktivitetet që zgjasin deri më 31 janar”, tha Kurteshi Emini.
Deniza Limani, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport në Gjilan, ka thënë se për të është nder që sot ndizet Flakadani i “Flakës së Janarit”. Ajo tha se të gjitha shtyllat e flakës do të bëhen për nder të heronjve dhe të rënëve për liri dhe ka uruar që ku muaj gjithmonë të sjellë vlera të mirëfillta kulturore dhe të shtohen aktivitetet gjithnjë e më tepër.
Në emër të familjes Mala dhe Berisha, ka folur përfaqësuesi i këtyre familjeve, Bajram Berisha, i cili pasi ka përshëndetur të pranishmit, ka kërkuar që asnjëherë të mos harrohet gjaku i të rënëve për liri.
Më pas është bërë ndezja zyrtare e Flakadanit të “Flaka e Janarit”, të cilën e kanë bërë Shpresa Kurteshi, kryesuese e Asamblesë Komunale të Gjilanit, Deniza Limani, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport, Fitore Mala dhe pjesëtarë të familjes Berisha.
Ndezja e Flakadanit është bërë edhe para shtatores së Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në qendër të qytetit, kurse karvani më pas është ngjitur në Kodrën e Dëshmorëve, te Varrezat e Dëshmorëve, ku edhe atje Flakadani do të mbetet i ndezur deri më 31 janar, kohë kur përmbyllet Manifestimi kulturor “Flaka e Janarit 2020”.
Aktiviteti i radhës në “Flakën e Janarit 2020” do të jetë “Akademia e Flakës” më 17 janar në ora 16:00, në Teatrin e Qytetit në Gjilan e më pas, në ora 17 e 30, në Galerinë e Arteve, do të hapet Ekspozita Kolektive dhe do të jepen çmimet në kuadër të “Penelit të Flakës”.