Në shkollën Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” nw Gjilan u shënua hapja e fushatës globale “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, përmes organizimit të një trajnimi informues dhe ndërgjegjësues me nxënësit e klasave X, XI dhe XII, të udhëhequr nga profesoresha Anita Ademi në bashkëpunim me psikologen e shkollës Kaltrina Jetishi.

Gjatë aktivitetit u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen me format e dhunës me bazë gjinore, stereotipet dhe paragjykimet gjinore, dhunën në marrëdhëniet ndërpersonale, ngacmimin dhe dhunën në hapësirat digjitale, si dhe mekanizmat e raportimit dhe mbrojtjes së viktimave.

Përmes diskutimeve, shembujve konkretë dhe bashkëbisedimit interaktiv, nxënësit patën mundësinë të reflektojnë mbi rolin dhe përgjegjësinë e tyre në parandalimin e dhunës, promovimin e barazisë gjinore dhe ndërtimin e një shoqërie ku dinjiteti, respekti dhe siguria janë të drejta të garantuara për të gjithë.

Besojmë se edukimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve janë hapa thelbësorë drejt ndryshimit të qëndrimeve dhe krijimit të një kulture që nuk toleron asnjë formë dhune. Sepse dhuna nuk duhet të ketë vend as në shkollë, as në familje dhe as në shoqëri!
MOS HESHT! BËHU PJESË E NDRYSHIMIT!










