Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, mori pjesë sot në lansimin e Rrjetit për Siguri në Komunitet (RRSK), nismë e ambasadorit Gerard McGurk, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. Aktiviteti u organizua nga Misioni i OSBE-së në Hotel Emerald në Prishtinë. Nisma synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore e lokale, Policisë së Kosovës, shoqërisë civile dhe qytetarëve për identifikimin e shqetësimeve të sigurisë dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta. Rrjeti mbështetet në bashkëpunimin e Këshillave Komunale për Siguri në Bashkësi dhe Komiteteve Lokale për Siguri Publike, duke nxitur shkëmbimin e informatave, bashkërendimin institucional dhe pjesëmarrjen e komuniteteve në adresimin e problemeve që ndikojnë në jetën e përditshme. Në fokus të nismës janë parandalimi i dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, siguria në trafik dhe në shkolla, parandalimi i dukurive negative te të rinjtë, mbrojtja e mjedisit, si dhe ruajtja e rendit dhe qetësisë publike. Aziz Zuka




