Kanë kaluar dy muaj prej kur futbolli në Kosovë është pezulluar pas masave të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e pandemisë COVID-19.
Gjatë kësaj kohe të pandemisë është duke u diskutuar se a do të mund të vazhdohet Superliga apo do të anulohet.
Por, një dilemë tjetër është se cili do të jetë ekipi i tretë kosovar që do të shkoj në garat evropiane.
Gjilani dhe Prishtina pretendojnë të dalin në garat evropiane përmes vendin të tretë, shkruan Gazeta Sheshi.
Dy skuadrat kanë pikë të barabarta (41), kurse Gjilani renditet në vendin e tretë shkaku i golaverazhit më të mirë.
Ndërsa nga kampi i skuadrës kryeqytetase thonë që Prishtina do të jetë në garat evropiane sigurt sepse në ndeshjet direkte Prishtina është më e mirë se Gjilani.
Prishtina iu është referuar nenit 65-të të propopzionit të garave në FFK për sezonin e shkuar 2018/2019.
Kurse, Gjilani iu është referuar nenit 66-të të rregullores në fuqi për sezonin aktual 2019/2020.
Përveç pikëve, Gjilani dhe Prishtina kanë gol-dallim të njëjtë, por ‘Skifterët’ kanë shënuar 38 gola kurse ‘Plisat’ kanë realizuar 32 herë.
Kështu që sipas rregullores në fuqi Gjilani mbetet në vendin e tretë pas 22 xhirove.
Së fundi, për këtë temë ka folur edhe Sekretari FFK-së, Eroll Salihu duke thënë se po presin një vendim definitiv nga UEFA.
“Për shkak të ndërprejës së garave nga Coronavirus, dhe për shkak të krejt këtyre keqkuptimeve në ditët në vazhdim presim një vendim definitiv nga UEFA lidhur me krejt këto cështje, e tek atëherë do ta dimë saktë se si do të veprohet. UEFA është e fundit që vendos, andaj jemi në pritje. Sa i përket kampionatit, FFK dëshiron t’i vazhdojë garat, sidomos ndeshjet e Kupës sepse ka më pak ndeshje dhe është më lehtë të menaxhohet situata”, ka thënë Salihu per Klan Kosova.
/Gazeta Sheshi/