Gjilan, 5 gusht 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune përfaqësuesit e transportuesve privatë, me të cilët kanë bashkëbiseduar për respektimin e masave anti-Covid-19 dhe njëkohësisht mundësinë e krijimit të kushteve më të mira për operim në kushte pandemie.
Kryetari Haziri ka thënë se gjendja në të cilën është Gjilani dhe hapat që ka ndërmarrë në respektimin e masave mbrojtëse konform vendimit të Qeverisë dhe institucioneve të shtetit, është rënduese për një kategori të gjerë në sektorin privat, mirëpo shëndeti publik është parësor dhe duhet të respektohen ato.
“Komuna e Gjilanit është vazhdimisht e përkushtuar në mbështetje të sektorit privat dhe të transportuesve. Është gjendja e tillë që kujdesi duhet të jetë maksimal për të qenë shëndeti publik stabil dhe nën kontroll. Jemi dakorduar për respektimin e marrëveshjes që është bërë me Stacionin e Autobusëve dhe bashkërisht do të jemi në çdo kohë që ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë këtë gjendje deri në normalizim të plotë. Unë jam pranë tyre dhe i mbështes kërkesat, sepse kështu mund të rrezikohet edhe Stacioni si ndërmarrje, por edhe transportuesit privatë, gjithashtu. Do të ecim përpara me kujdes në mënyrë që dëmi të jetë sa më i vogël”, ka thënë, kryetari Lutfi Haziri.
Ai ka konfirmuar se angazhimi ka qenë i vazhdueshëm, në funksion të zbutjes së masave, në mënyrë që të fillon operimi i tyre, pas zbutjes së masave dhe fillimit të punës është një hap, mirëpo ka konfirmuar se do të jetë pranë tyre deri në normalizimin e plotë gjithmonë në koordinim me qeverinë e Kosovës dhe me institucionet shëndetësore.
Në emër të transportuesve kanë folur Jakup Berisha dhe Rexhep Sejdiu, të cilët kanë falënderuar kryetarin Haziri, për angazhimin dhe janë zotuar se transportuesit do të jenë bashkëpunues me komunën duke e respektuar edhe marrëveshjen me stacionin, me shpresën që normalizimi i gjendjes të ndodhë sa më parë, sepse ata janë duke punuar në 50 përqind të kapaciteteve për shkak të vendimit të marrë nga Qeveria, të cilat i kanë konsideruar pengesë shumë të madhe për qëndrueshmërinë e tyre në të ardhmen.