Gjilan

Haziri e Veliu: Humbja e jetës së qytetarëve nga Covid-19, dhimbje dhe sfidë e rëndë

 

Gjilan, 9 shtator 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, me të cilin kanë bashkbiseduar për gjendjen e sigurisë publike në përgjithsi, për kushtet e punës në Policinë e Kosovës në Gjilan, për shërbimin e Zjarrfikësve dhe për menagjimin e gjendjes me Covid-19, nga Qendra Operative e Emerxhencave Civile dhe shëndetësore.

Kryetari Lutfi Haziri, ka potencuar se në takimin e përbashkët, ministri është njoftuar me rolin e madh që ka Policia e Kosovës në sigurinë publike nw Gjilan, përgatitjet që janë bërë me masat anti-Covid-19 në fillimin e vitit të ri shkollor dhe bashkëpunimin e madh me dy sektorët e shëndetësisë.

“Falënderoj ministrin Veliu për vizitën e sotme në Gjilan. Atë e kam njoftuar për gjendjen e përgjithshme dhe bashkëpunimin që kemi në vazhdimësi me të gjitha institucionet vartëse të kësaj ministrie. Komuna e Gjilanit që nga data 22 shkurt është angazhuar në forma të ndryshme për t’i bërë ballë pandemisë globale e veçanërisht nga data 13 mars, kur është aktivizuar plani kombëtar. Gjilani për këtë periudhë kohore mbi gjashtë muajshe ka bërë përpjekje maksimale që menaxhimi i situatës kundër përhapjes së pandemisë të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka potencuar humbjen e jetës së 40 qytetarëve të Gjilanit nga Covid-19, për të cilët ai tha se ka qenë pjesa më e rëndë në rrugën e përballjes me Covid-19 dhe e menaxhimit të situatës.

Ndërsa, ministri Agim Veliu, në konferencën me gazetarët ka bërë të ditur se kanë bashkbiseduar për programet dhe punën që është duke bërë ministria që nga reforma për administratën publike, shërbimin civil dhe punonjësit e tjerë, pastaj për bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me Komunat e deri te infrastruktura, Zjarrfikësit dhe siguria publike.

“Fokus i ministrisë është zgjidhja ligjore e reformës në administratë në përgjithësi, pastaj zhvillimin e projekteve për objektin e Policisë dhe mundësinë e zgjidhjes së pengesave që ka projekti, të cilit i bëhet zgjidhje financiare në buxhetin e vitit të ardhshëm. Hapi i Gjilanit dhe përgatitjet që i ka bërë Komuna për fillimin e vitit të ri shkollor dhe masat që i ka marrë, janë impresive dhe të menduara deri në detaje, sepse pos tjerash ka një angazhim ndërinstitucional me qëllim të kontrollit të plotë të gjendjes, që gjithçka pastaj të filloj mbarë dhe të ecë si duhet, përkundër që lëvizjet e qytetarëve do të jenë më të mëdha”, ka thënë ministri, Veliu në fjalën e tij.

Ai ka shprehur falënderimin e tij për policinë e Gjilanit në dy nivelet, për zjarrfikësit, mjekët, pastaj organizimi dhe menaxhimi nga Qendra Operative e deri te lojaliteti i lartë qytetarë për sigurinë në përgjithësi dhe zbatimin e vendimeve kundër pandemisë globale..

You Might Also Like