Drita tash e disa ditë po qëndron në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku është duke u përgatitur për ndeshjen ndërkombëtare që do ta zhvillojë me skuadrën shqiptare nga Tuzi, Deçiqi.
Të kujtojmë se në të njëjtin garë është edhe skuadra tjetër nga Kosova, Llapi e cila do të ballafaqohet me një tjetër skuadër shqiptare, FC Shkupin nga Maqedonia e Veriut. Edhe kjo ndeshje do të zhvillohet në të njëjtin orar.
Sipas shortit si Drita si Llapi ndeshjet e para duhej t’i luanin si mysafirë ndërsa ato të kthimit si vendas. Meqenëse Kosova ka vetëm një stadium që i plotëson kriteret ndërkombëtare, stadiumin “Fadil Vokrri”, UEFA ka vendosur të ndryshojë orarin.
Drita ndeshjen e parë me Deçiqin do ta zhvillojë si vendas dhe atë të kthimit si mysafirë, derisa orari i ndeshjeve të Llapit nuk ndryshon.
Lajmin për ndryshimin e orarit për Demokracia.com e ka konfirmuar drejtori sportiv i FC Drita, Valon Zymberi.
“Edhe pse shorti e ka përcaktuar që në ndeshjen e parë me qenë mysafirë, por për shkak se edhe ne edhe Llapi e kemi të njëjtin stadium, neve (Dritës) na është ndryshuar orari. Pra ndeshjen e parë do ta luajmë si vendas. Ndryshimin e ka bërë UEFA”, ka thënë për Demokracia.com, Zymberi.
Të kujtojmë se ditë më parë qeveria e vendit ka vendosur që në mënyrë të kufizuar t’i hap stadiumet për tifozë me numër të kufizuar dhe takimi Drita – Deçiqi, që luhet me 8 korrik pritet të sjellë një atmosferë të zjarrtë në stadiumin “Fadil Vokrri” tamam ashtu siç dinë ta bëjnë “Intelektualët”.