Gjilan

Kuvendi i Gjilanit mbajti mbledhje

Kuvendi Komunal i Gjilanit, të hënën, në mbledhjen e parë për këtë vit, ka diskutuar fjalësin e emrave të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i Komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë, por miratimin e ka shtyrë për seancën e ardhshme, për t`i dhënë kohë komisionit që t`i shqyrtojë edhe disa propozime, të cilat janë dhënë nga këshilltarët, ndërkaq i ka miratuar raportet e punës të Komiteteve për periudhën janar-dhjetor 2016, planet e punës të Komiteteve për vitin 2017, raportin e suksesit të gjysmëvjetorit të parë në shkollat e Gjilanit si dhe vendimin për emërimin e dy aksionarëve në ndërmarrjen publike “Tregu”.

Fillimisht, kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi ka sqaruar se Kuvendi do të mbajë seancë të veçantë më 2 shkurt, për të shqyrtuar gjendjen në kompaninë “Ecohigjiena”, që e kishte kërkuar opozita, në takimin e fundit të Komitetit për Politikë dhe Financa. Edhe pozita pajtohet se gjendja në këtë kompani publike-private nuk është e mirë.

Ndërkaq sa i përket fjalësit të emërtimeve, të gjithë anëtarët e Kuvendit janë pajtuar se komisioni ka bërë një punë të vlefshme, por kanë vërejtjet e tyre parimore kanë qenë se do të duhej të përfshiheshin edhe disa personalitete të tjera të rëndësishme nga historia jonë, të cilët ka merita të pa diskutueshme në çështjen kombëtare.

Kureshtje të veçantë ka zgjuar propozimi i shefit të grupit të këshilltarëve të PDK-së, Sahit Abazi, që krahas plotësimit eventual të listës, për çka duhet të lihet një hapësirë e nevojshme, ka kërkuar guxim për të bërë edhe tkurrjen e saj, nëse meritat e ndonjërit nga emrat e propozuar, janë të kontestueshme.

Një nga emrat që është harruar, sipas Ibish Ibishit (AAK), është ai i Sylë Zarbincës, i cili ka qenë bashkëluftëtar i Mulla Idriz Gjilanit. Fehmi Sylejmani (VV) ka thënë se kontributi i Sylë Zarbincës, i cili ka marrë pjesë në çlirimin e Gjilanit, është i pamohueshëm. Sipas tij, në këtë listë është dashur të përfshihen edhe Ali Huruglica, Zenullah Halili, Mehmet Halimi dhe të tjerë.

Propozim konkret ka dhënë edhe kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila ka thënë se në mesin e këtyre personaliteteve duhet të jetë edhe emri i Shefki Desivojcës dhe ka kërkuar nga komisioni që ta shqyrtojë këtë propozim.

Mundësinë për zgjerim të listës nuk e ka përjashtuar Avdyl Aliu (LDK), i cili ka thënë se fjalësi i emërtimeve mund të plotësohet gjatë kohës, sepse nuk është as Bibël as Kuran që të mos preket më.

Nevzad Isufi (VV) ka thënë në se fjalësin e personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i Komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë, do të duhej të ishte edhe Kuvendi i Ferizajt, Hysen Terpeza, Mehmet Kurteshi, ose ndonjë tjetër nga familja Kurteshi, e cila ka dhënë kontribut të madh në çështjen kombëtare. Për më tepër, ai ka thënë se kontribuuesit e luftës dhe çështjes kombëtare nuk duhet të barazohen me viktimat e luftës, të cilat janë të shumta.

Meqë kuvendarët u dakorduan për ta shtyrë miratimin e fjalësit, Bujar Nevzadi (PDK) ka thënë se shqyrtimi i propozimeve të reja duhet t`i besohet komisionit, sepse është caktuar për këtë punë dhe jo Kuvendit, sepse ne jemi vendimmarrës.

Në emër të Komisionit, sqarime ka dhënë Sabit Rrustemi, i cili ka thënë se lista është përpiluar në konsultim me historianët, duke nënvizuar faktin se lista fillestare ka qenë shumë më e gjerë. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që ndonjë nga personalitet meritore të ketë ngelur jashtë këtij regjistri, duke thënë se fjalësin përfundimtar e miraton Kuvendi.

“Materiali i sotëm është një propozim nga komisioni, ndërsa Kuvendi është ai që e zgjeron listën ose e tkurrë listën”, ka thënë ai.

Rrustemi ka thënë se komisioni do t`i marrë parasysh deri në seancën e ardhshme edhe propozimet që u bënë në Kuvend dhe të tjera që mund të dërgohen ndërkohë. Ai veçmas e ka pëlqyer propozimin për korrigjim të listës, nëse është e nevojshme.

Pas gjithë këtij debati, ku janë përfshirë edhe anëtarë tjerë të Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi është shprehur e bindur se Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e shkurtit, do t`i votojë me konsensus këta emra të çmueshëm.

Interesim ka zgjuar edhe raporti i suksesit të nxënësve të Gjilanit në gjysmëvjetorin e parë, ku vërehet një rënie në krahasim me gjysmëvjetorin e njëjtë të vitit të kaluar, ndërkohë që mungesat janë rritur.

Mevlude Zejnullahu (AAK) ka thënë se suksesi është për brengosje, veçmas në nivelin e lartë. Po ashtu mungojnë të dhënat për mungesat e arsimtarëve, orët e humbura dhe të pa mbajtura, sikurse mungon edhe suksesi sipas shkollave.

Edhe Shukrije Rapuca (PDK) e ka vlerësuar jo të mirë gjendjen në arsim. Suksesi pozitiv ka rënie, sikurse edhe nota mesatare, ndërkaq mungesat kanë shënuar rritje. Po ashtu është rritur edhe numri i nxënësve të pa notuar, ka thënë ajo.

Leonora Bunjaku (PDK) ka kërkuar zbatim të rregullores disiplinore në arsim. Ajo ka pasur vërejtje për mënyrën se si po funksionin kampusi i shkollave të mesme, pastaj për konkursin pranimin e mësimdhënësve, duke thënë se janë favorizuar militantët partiakë, sikurse edhe për kriteret, ku përvoja e punës dhe koha e pritjes vlerësohen me pikë të njëjta.

Fehmi Sylejmani (VV) ja qenë edhe më i ashpër. Raporti ka numra, por i mungon analiza për suksesin dhe mangësitë tjera në arsim, ka thënë ai. Sa i përket konkursit për mësimdhënës,

Sylejmani ka kërkuar që kryetari i Komunës të bëjë anulimin e tij dhe të ndërmarrë masa ndaj drejtuesve të DKA-së dhe komisionit për përzgjedhje, sepse, sipas tij, ka favorizuar kandidatë nga Forumi i Gruas i LDK-së.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendti, ka thënë se nuk është njerëzore me fole për Forumin e Gruas të LDK-së, sepse edhe ato janë qytetare të Gjilanit dhe kanë të drejtë konkurrimi dhe punësimi në kushte të barabarta.

Nevzad Rushiti (LDK) ka thënë se raporti është i mirë dhe real, duke kërkuar prej parafolësve që të jenë edhe vetëkritikë për këtë sukses, meqë vijnë nga sektori i arsimit. “Mësimdhënësi është njeriu i parë përgjegjës për suksesin ose mossuksesin e nxënësve në një shkollë”. Sa i përket konkursit, ai është shprehur i bindur që janë pranuar kandidatët adekuatë.

Edhe Isa Agushi (LDK) e ka cilësuar real raportin e suksesit të nxënësve të shkollave të Gjilanit. “Është e kuptueshme që opozita e sheh gjendjen ndryshe, por është e pakuptueshme se si gjithçka i duket zi, kurse realiteti është ndryshe”, ka thënë ai.

Në debatin mbi suksesin e nxënësve dhe gjendjen në arsim, kanë marrë pjesë edhe Sahit Abazi, Jakup Bajrami, Nevzad Isufi dhe të tjerë.

Shqipe Kastrati, drejtoreshë e Arsimit, ka thënë se ky është një raport që pasqyron gjendjen reale të suksesit në shkollat tona dhe nuk është raport i punës së Drejtorisë së Arsimit. Nëse suksesi krahasohet me gjysmëvjetorin e kaluar, është e vërtetë se ka një rënie të lehtë dhe kjo gjë është diskutuar me drejtorët e shkollave, për t`i parë shkaqet, sikurse edhe rritja e numrit të mungesave, që ka rezultuar të ketë ndodhur për shkak të gripit, që ka prekur një numër të konsiderueshëm të nxënësve dhe arsimtarëve, ka thënë ajo.

Sa i përket vlerësimit, Kastrati ka thënë se DKA-ja nuk ka kompetencë të ndërhyjë në këtë proces, ku sipas saj ka anomali të ndryshme, siç mund të jetë notimi i nxënësit me notën njësh për shkak të prishjes së disiplinës, mungesës apo edhe arsye të tjera.

Ajo është pajtuar që raporti i gjysmëvjetorit të dytë të përmbajë edhe pjesën e analizës e suksesit, mungesave dhe tregues tjerë që pasqyrohen në raport. Kurse sa i përket kampusit, Kastarti ka thënë se është model i funksionimit të shkollave të mesme në Kosovë.

Ndërkaq sa i përket konkursit, ku opozita e vendosi tehun e kritikës, ajo ka premtuar se të gjitha ankesat do të shqyrtohen dhe çdo vendim i komisionit do të respektohet, por ka kërkuar nga anëtarët e Kuvendit të mos i keqpërdorin kandidatët për qëllime të tyre politike.

Kastrati ka thënë po ashtu se përzgjedhja e kandidatëve është bërë sipas kritereve që janë votuar nga ky Kuvend, duke sqaruar se kriteri i vendbanimit dhe ai licencës janë hequr me rekomandimin e ombduspersonit, përkatësisht Inspektoratit të Arsimit, meqë i pari është cilësuar kriter diskriminues, ndërsa i dyti – për shkak të problemit të sistemit arsimor.

Kuvendi ka miratuar me vërejtje raportet e punës të Komiteteve për periudhën janar-dhjetor 2016 si dhe planet e punës të Komiteteve për vitin 2017, si dhe vendimin për emërimin e dy aksionarëve në ndërmarrjen publike “Tregu”.

Në pyetjet e anëtarëve të Kuvendit, Arjeta Rexhepi, Krenare Latifi, Fehmi Sylejmani dhe të tjerë, në pikën nën të ndryshme, janë përgjigjur drejtorët Naser Korça (Shërbime Publike) e Agim Zuzaku (Zhvillim Ekonomik).

You Might Also Like