Banorët e fshatit Karaçevë e Poshtme kanë kërkuar nga instancat shtetërore të Kosovës që edhe problemi i këtij lokaliteti të zë vend në tryezën e bisedimeve që do të zhvillohet në Bruksel në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi. Selver Lenjani, kryetar i kësaj Bashkësie Lokale ka rikujtuar problemet e kamotshme, duke bërë me dije pretendimet serbe, të cilat u marrin tokat 17 pronarëve, të cilat i kanë toka stërgjyshore. Lenjani ka thënë se Karaçeva e Poshtme nuk ka tokë për t’i falur askujt, andaj lutet delegacioni kosovar shtetëror t’a paraqet këtë problem në tryezën e bisedimeve. Lenjani thekson se kanë dokumente valide e kadastrale, harta topografike, gjeografike e gjithë dokumentacionin e nevojshëm që e drejta është në anën e banorëve karaçevas.