Kryqi i Kuq i Gjilanit ka organizuar një aktivitet me nxënësit e Gjimnazit natyror “Xhavit Ahmeti” në të cilin në mënyrë teorike e praktike është demonstruar se si duhet të jepet ndihma e parë.
Ligjëruesja Anila Mustafa, dikur ish- nxënëse e këtij gjimnazi e tashti infermiere dhe instruktore e ndihmës së parë, para nxënësve ka shpjeguar se në cilat raste duhet të jepet ndihma e parë, si e parasheh legjislacioni i Kosovës mosdhënien e ndihmës së parë, por edhe mënyrën se si jepet e ndihma e parë, shkruan kryelajmi.com.
Infermierja dhe instruktorja e ndihmës së parë në Kryqin e Kuq të Gjilanit, Anila Mustafa ka shpjeguar të gjitha hapat se si duhet t’i qasemi personit që ka nevojë për dhënien e ndihmës së parë, mënyrën se si duhet të kontrollohet e të sigurohet vendi ku jepet ndihma e parë, cilat janë hapat e parë që duhet ndërmarrë, si duhet të dallojmë shenjat e jetës të të aksidentuarit, si kontrollimi i pulsit, frymëmarrja apo edhe hapat që të dallojmë se a e ka ai vetëdijen. Si duhet të veprohet në rast të aksidentit, sit ë veprohet në reanimimin e pacientit, si jepet frymëmarrja artificiale, si të veprohet në situata të ndryshme dhe në lëndime të ndryshme, çfarë duhet të përmbajë kutia e ndihmës së parë dhe si duhet të përdoren ato, sit ë veprohet te të rriturit, te fëmijët e te foshnjat dhe shumë situate të tjera.
Instruktorja Mustafa, krejt këto i ka demonstruar edhe në mënyrë praktike, kurse nxënësit me vëmendje e kërshëri i kanë përcjellë të gjitha aktivitetet e saj, duke u kyçur edhe në mënyrë aktive.
Ligjërata të tilla janë tejet të rëndësishme për nxënësit dhe adoleshentët, ngase me dhënien e ndihmës së parë mund të shpëtohen jetë, andaj Kryqi i Kuq dhe shkollat edhe më tej duhet të veprojnë e bashkëpunojnë në këtë aspekt./kryelajmi.com/.