Futboll

Në një ndeshje tejet interesante, Gjilani shënon fitore të merituar

Pesë gola janë parë në ndeshjen Gjilani – Malisheva, në të cilën pati edhe një penalti të huqur dhe shumë emocione në ndeshje.

Gjilani është në epërsi pas pjesës së parë ndaj Malishevës me rezultat 1:0, kurse vendasit kanë patur edhe mundësi të tjera për të shënuar.

Goli i parë erdhi në minutën 10, kur pas një aksioni të shpejtë në e majta Bilalli shërbeu Tolajn, kurse portieri Adnan Kanuriq me mund dërgoi topin në fundore. Pas ekzekutimit të këndores shkurtazi, Limani harkoi në brendi, ku më së larti u shkëput Bllaca, që me kokë qëlloi topin dhe e dërgoi në këndin e majtë të epërm për 1:0.

Në minutën 26, pas një kundërsulmi të shpejtë, Blerind Morina gjuajti nga largësia, por topi për pak shkoi mbi portë. Blerind Morina gjuajti edhe në minutën 38 nga largësia, por sërish topi për pak shkoi jashtë portës.

Menjëherë me të nisur pjesa e dytë, Malisheva ia ka dalë që të barazojë rezultatin, kur Ibishi harkoi, topin e preku Xhylani sa për ta dërguar deri te Nafiu, i cili e futi në rrjetë për 1:1. Xhylani, gjuajti edhe në minutën 52, por Qoriq me mund e ndali topin. Në minutën 57 rast të mirë për Malishevën pati Haxhiu, por Qoriq ndali gjuajtjen e tij nga afërsia.

Malisheva ishte shumë më e rrezikshme në pjesën e dytë, kurse edhe në minutën 66 ka gjuajtur Xhylani e Qoriq me mund e dërgoi topin mbi portë. Nga goditja nga këndi, Dreni Kryeziu gjuajti nga afërsia, por me një superpritje Qoriq shpëtoi gol të sigurtë.

Në minutën 72 Malisheva fitoi një penalti, ngase pas një harkimi nga e djathta, Limani ndonëese ishte i kthyer me shpinë e preku topin me dorë. Valmir Nafiu mori përgjegjësinë, por Qoriq priti gjuajtjen e tij, kurse edhe në tentimin e dytë ishte sërish Qoriq që priti gjuajtjen e Nafiut, duke mbajtur gjallë ekipin e tij.

Në minutën 76, pas një harkimi të Thaqit nga gjuajtja e dënimit, zëvendësuesi Mevlan Zeka nga një pozitë i8deale gjuajti mbi portë.

Në minutën 78, zëvendësuesi Yll Ibrahimi pas një shpërthimi të shkëlqyeshëm hyri në brendi, topi u devijua nga një mbrojtës i Malishevës, sa për të shkuar deri te Ari8jon Bllaca, i cili me kokë e futi topin në portën e zbraztë. Gjilani ka shënuar edhe në minutën 86, kur Bllaca shpërtheu nga e majta, topi erdhi deri te Tolaj, i cili gjuajti me kthim dhe dërgoi topin në këndin e majtë të poshtëm për 3:1.

Në minutën e parë të shtesës, Xhemajl Ibishi ka shënuar nga afërsia, pasi ka shfrytëzuar harkimin e Dulajt nga e djathta, por pas pak ndeshja u mbyll me rezultat 3:2. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like