Gjilan

Në Bresalc emërtohet rruga me emrin e humanistit dhe atdhetarit Haxhi Hasan Muji

Komuna e Gjilanit këto ditë është duke vendosur tabela të reja me emrat e personaliteteve të shquara shqiptare, si në qytet ashtu edhe në fshatra.

Sot, në lagjen “Gllama” të fshatit Bresalc, është shënuar me tabelë emri i rrugës që tashmë mban emrin e patriotit dhe atdhetarit të kësaj ane, Haxhi Hasan Muji (1924-1991).

Banorët e lagjes, përmes një peticioni, kishin shprehur dëshirën që kjo rrugë të mbajë emrin e tij. Kërkesa e tyre u miratua nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, duke i dhënë kështu nderimin e merituar këtij personaliteti.

Haxhi Hasan Muji ia kushtoi tërë jetën kauzës shqiptare. Si i ri, shpeshherë u thirr në biseda informative dhe u maltretua nga policia jugosllave, por kurrë nuk u ndal. Përkundrazi, ai veproi me vendosmëri e bashkëpunoi për të mirën e popullit shqiptar.

Përveçse ishte një trim i dalluar, ai njihej edhe si një humanist i madh, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar skamnorët, sidomos në kohët më të vështira.

I biri i tij, Haxhi Ramadan Muji, i emocionuar për këtë emërtim, u shpreh:
“Së pari, falënderoj banorët e lagjes ‘Gllama’ për propozimin, asambleistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit dhe komisionin për emërtimin e rrugëve. Kjo është një ditë e bekuar, sepse emri i babait tim po rilind dhe po skalitet në këtë rrugë. Jam shumë krenar për të, sepse tërë jetën ia kushtoi kauzës shqiptare, duke ëndërruar që populli shqiptar të jetojë i lirë në tokën arbërore të Kosovës. Amaneti i tij ishte që të mos e harrojmë kurrë, por ta ruajmë dhe ta forcojmë Kosovën, duke mbrojtur vlerat tona kombëtare.”

Ky emërtim është një homazh për jetën dhe veprën e Haxhi Hasan Mujit, një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e qytetit dhe fshtatit te tij.

You Might Also Like