Dinamo nga Ferizaj, anëtare e Ligës së Parë të Kosovës në Futboll, ka hyrë në një seri të rezultateve pozitive. Ky klub gjendet tri pikë larg nga vendi i parë dhe vetëm dy nga i dyti, pozita këto që dërgojnë në rang më të lart të garave e pa dyshim se ndër lojtarët më meritorë në këto suksese është edhe Blend Krasniqi, mesfushori defanziv, me paraqitjet e tij të shkëlqyeshme.
Me topin në këmbë që nga fëmijëria, Blend Krasniqi, ka kaluar orë të panumërta në fushë, duke punuar çdo ditë për t’u bërë më i mirë se dje. Pas çdo stërvitjeje, çdo gare dhe çdo sfide, qëndron një qëllim i vetëm, të arrijë majat e futbollit profesional.
Ambicia, përkushtimi dhe besimi në vetvete janë tri shtyllat mbi të cilat ai ndërton karrierën e tij. Ai beson se suksesi nuk vjen rastësisht, por fitohet me djersë, disiplinë dhe durim. Çdo ndeshje është një mundësi e re për të treguar talentin, karakterin dhe dashurinë e tij për lojën.
Ky lojtar 21-vjeçar, roli i të cilit është që të ndalë sulmet e kundërshtarëve mu para mbrojtjes dhe që nga ai të nisin sulmet e ekipit të tij, çdo ditë e më tepër po dëshmon cilësitë e tij, andaj nuk është e largët dita kur emri i tij do të bëhet edhe më i njohur në futbollin kosovar e më gjerë.
“Po punojmë e po angazhohemi shumë që ekipi i ynë të ngritët sa më lartë në tabelën e klasifikimit e pse jo edhe të mos synojmë ngjitjen në Superligën e Kosovës në Futboll”, thekson lojtari Blend Krasniqi, cili tashti për tashti mendon vetëm për sukseset e ekipit të tij ku është duke luajtur, duke mos fshehur dëshirën që një ditë të luajë edhe në ekipe më të mëdha e më të forta, gjithsesi se duke gjetur angazhim edhe jashtë vendit.
Ky djalosh është shembulli i brezit të ri që guxon të ëndërrojë dhe që punon çdo ditë për t’i kthyer ëndrrat në realitet. Ai nuk ndalet, vazhdon të punojë e të derdhë djersë në fushë, ngase atë gjithsesi se e pret një ardhme e ndritur, andaj për këtë lojtarë do të flitet edhe më shumë në të ardhmen, kur do të na bëjë krenarë neve të gjithëve./kryelajmi.com/