Skender Tullumi fitues në fjalëkryq, Mamuti në anagramë
Në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit 2026”, janë shpallur rezultatet e Garës së Gjëzasajuesve të Kosovës, pas përfundimit të procesit të vlerësimit nga juria profesionale.
Sipas rezultateve zyrtare, Skender Tullumi është shpallur fitues në kategorinë e fjalëkryqeve, ndërsa Mensur Mamuti ka zënë vendin e parë në konkursin e anagramave.
Kryeredaktori i Revistës “Horizonti” dhe kryetar i jurisë, Zijadin Hasani, theksoi se vlerësimi është bërë mbi bazën e kritereve të përcaktuara paraprakisht, duke përfshirë cilësinë gjuhësore, strukturën e fjalëkryqit, përdorimin e fjalëve të rralla, aspektet drejtshkrimore, gjatësinë mesatare të fjalëve, si dhe sonoritetin e përgjithshëm të tyre.
Në garë kanë marrë pjesë gjithsej 16 gjëzasajues.
Renditja për fjalëkryqe
1. Skender Tullumi – 50.8 pikë
2. Xhelal Abrashi – 49.8 pikë
3. Mensur Mamuti – 46.8 pikë
4. Muhamet Halili – 46.8 pikë
Renditja për anagrama
1. Mensur Mamuti – 28 pikë
2. Rexhep Hasani – 26 pikë
3. Ekrem Krasniqi – 25 pikë
Detyrat e konkursit ishin përcaktuar nga paneli organizues dhe përfshinin sajimin e një fjalëkryqi me dimensione 9×13 me fjalën “Horizonti”, vendosjen adekuate të katrorëve të zinj, si dhe krijimin e një anagrame nga sintagma “Revista për enigmatikë Horizonti”.
Pas shpalljes së rezultateve, aktiviteti vijoi me një debat tematik për enigmatikën shqiptare, me theks të veçantë në revistën “Horizonti” dhe Shoqatën e Enigmatëve “Ndre Mjeda”, në kuadër të shënimit të 45-vjetorit të botimit të revistës “Horizonti” (1981–2026).
Kryeredaktori Zijadin Hasani bëri të ditur se gjatë këtyre 45 viteve janë botuar 140 numra të revistës, duke e cilësuar atë si një arkiv të rëndësishëm të historikut të enigmatikës shqiptare. Ndërkaq, kryetari i Shoqatës “Ndre Mjeda”, Shemsedin Kryeziu, theksoi se “Horizonti” ka qenë dhe mbetet një nga arritjet më të rëndësishme të kulturës enigmatike shqiptare.
Në këtë përvjetor jubilar, revista “Horizonti” dhe shoqata “Ndre Mjeda” u nderuan me mirënjohje nga Shoqata e enimatëve të Mitrovicës, ndërsa në diskutime kontribuuan enigmatë nga qytete të ndryshme të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Luginës së Preshevës.
Në kuadër të aktiviteteve shoqëruese, në tryezën e organizuar nga Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda” u diskutua rreth gjendjes së enigmatikës shqiptare në përgjithësi, me theks të veçantë në nevojën e organizimit dhe zhvillimit të mëtejmë të garave të enigmatëve. Në debat u angazhuan edhe enigmatë të njohur si Xhelal Abrashi, Skender Tullumi, Skendet Skenderi, Ekrem Krasniqi, si dhe pjesëmarrës të tjerë, të cilët ndanë përvoja dhe propozime konkrete për avancimin e kësaj fushe.




