Ka nisur grumbullimi treditor i Kombëtares së Kosovës U17 për vajza në Kampin Nacional në Hajvali. Ky është grumbullimi i parë për këtë vit dhe i paraprin fazës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026, e cila do të zhvillohet në fund të shkurtit dhe fillim të marsit në Portugali, në kuadër të Ligës A. Pjesë e këtij grumbullimi është edhe futbollistja e re nga Gjilani, Ema Maliqi.
Dardanet U17 do të përballen me kundërshtarë të fortë si Spanja, Hungaria dhe Portugalia, me këtë të fundit që është nikoqire e turneut kualifikues.
Përzgjedhësja Sanije Krasniqi theksoi se ky kamp ka për qëllim vlerësimin e gjendjes së lojtareve dhe përgatitjen sa më të mirë për ndeshjet kualifikuese.
“Ky kamp i paraprin kualifikimeve në fund të shkurtit dhe fillim të marsit që do të mbahen në Portugali në Ligën A. Në këtë grumbullim kemi disa vajza që kanë qenë pjesë e kualifikimeve të Ligës B në Moldavi, por edhe lojtare të reja që vijnë nga vendet perëndimore, si dhe disa lojtare nga Kosova që nuk i kemi pasur më herët. Qëllimi është të përgatitemi sa më mirë dhe të vlerësojmë kualitetin e tyre. Para se të udhëtojmë në Portugali, do të kemi edhe një kamp tjetër përfundimtar këtu në Hajvali, me lojtaret që do të selektohen për kualifikime”, u shpreh Krasniqi.





