ARSIMI

Drejtori i Arsimit takoi psikologët e shkollave

Drejtori i Arsimit, Jeton Rexhepi, ka prit psikologëet e shkollave të Komunës së Gjilanit.
Në takim është diskutuar për rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve dhe raportimit të rasteve.
“Ky takim u bë me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit në trajtimin e çështjeve që lidhen me mirëqenien psikologjike të nxënësve”, tha Jeton Rexhepi.
Më tej drejtori i Arsimit, theksoi se është biseduar edhe për rëndësinë e rolit të psikologëve në institucionet arsimore, veçanërisht në identifikimin dhe trajtimin e hershëm të sfidave me të cilat përballen nxënësit, si problemet emocionale, sociale apo të sjelljes.
Sipas tij bashkërendimi i aktiviteteve ndërmjet psikologëve, drejtuesve të shkollave dhe Drejtoratit të Arsimit, është thelbësor për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës për nxënësit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mekanizmave të raportimit të rasteve. Psikologët u inkurajuan që rastet që kërkojnë ndërhyrje institucionale të raportohen në mënyrë të rregullt dhe profesionale, duke respektuar procedurat dhe standardet e konfidencialitetit. Kjo mundëson reagim më të shpejtë dhe koordinim më të mirë me institucionet përkatëse.
“U diskutua për organizimin e aktiviteteve vetëdijesuese në shkolla që lidhen me shëndetin mendor, parandalimin e dhunës, bullizmit dhe mbështetjen psikosociale të nxënësve”, tha Rexhepi.
Drejtori i Arsimit, falënderoi psikologët për angazhimin dhe profesionalizmin e tyre, duke theksuar se bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe raportimi i rregullt janë çelësi për përmirësimin e shërbimeve mbështetëse për nxënësit dhe për ngritjen e cilësisë së jetës shkollore.

You Might Also Like