Aktivitetet e shumta të edicionit të 26 të “Javës së Frankofonisë” në “Kryeqytetin e Frankofonisë” në Gjilan, kanë përfunduar ditën e parë me një mbrëmje të veçantë në frymën e muzikës dhe kulturës, me koncertin nga soprano Besa Llugiqi e shoqëruar me kitare nga Thyeri Marcier.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se natën e parë të “Javës së Frankofonisë”, mbrëmë e përmbyllën me koncertin që mblodhi një numër të madh të pranishmëve në Teatrin e Qytetit.
Sipas tij, interpretimi mjeshtëror i kitaristit Thierry Mercier dhe zëri i jashtëzakonshëm i sopranos tonë, Besa Llugiqi, i dhanë Gjilanit shkëlqimin e një kryeqyteti evropian.
“Krenar që qyteti ynë është nikoqir i këtij edicioni të 26-të, duke dëshmuar se arti nuk njeh kufij dhe se miqësia jonë me botën frankofone është më e fortë se kurrë”, tha Alban Hyseni.
Kryetari i Gjilanit, falënderoi ambasadorët e shteteve tona mike dhe të gjithë të pranishmëve.
I pari i komunës, tregoi se vazhdojmë sot me aktivitetet tjera.
Nga ana tjetër ambasadori i Francës, Olivier Guerot, tha se në vitin 2026 frëngjishtja është bërë gjuha e katërt më e folur në botë, një dinamikë që reflektohet edhe në Kosovë, vend kandidat për anëtarësim të plotë në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Më tej ambasadori tregoi për rëndësinë në rritje të kësaj jave kulturore.
“Pesë vjetët e fundit “Java e Frankofonisë”, festohet me rotacion në qytete të ndryshme. E sivjet, po mbahet edhe në Gjilan, ku një pjesë e diasporës jeton në hapësirën frankofone”, tha Guerot.
Ambasadori i Francës, shtoi se frankofonia, është e pranishme kudo në Kosovë, siç flitet gjuha frënge në mbarë botën. Këtë vit frëngjishtja është bërë gjuha e katërt më e folur në botë.
“Kosova është kandidate për t’u bërë anëtare me të drejta të plota të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim këtë përpjekje kulturore dhe diplomatike në mënyrë që frankofonia të jetë edhe më e dukshme në Kosovë dhe që Kosovë të jetë edhe më e dukshme në frankofoni”, tha ambasadori Olivier Guerot.


