Gjilan

Tatimi në Pronë: Borxhet e papaguara nga vitet e kaluara kanë shënuar rritje të vazhdueshme

Drejtoria për Buxhet dhe Financa, njofton qytetarët se pavarësisht vonesave në shpërndarjen e faturave të tatimit në pronë për vitin 2026, obligimet për tatimin në pronë dhe borxhet e akumuluara nga vitet paraprake mbeten detyrim ligjor i plotë dhe i zbatueshëm.
Avdyl Kastrati, drejtor për Buxhet dhe Financa, tha se bazuar në Ligjin Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronë dhe Ligjin Nr. 08/L-257 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, çdo tatimpagues është i obliguar të përmbushë detyrimet tatimore, ndërsa mos-pagesa rezulton në inicimin e procedurave të mbledhjes së detyrueshme.
Sipas tij borxhet e papaguara nga vitet e kaluara kanë shënuar rritje të vazhdueshme dhe kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në realizimin e investimeve kapitale dhe në përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët.
“Të hyrat nga tatimi në pronë, janë një nga burimet kryesore të financimit të projekteve kapitale, duke përfshirë investimet në infrastrukturë, shkolla dhe shërbime të tjera në interes të përgjithshëm”, tha Avdyl Kastrati.
Më tej drejtori u bënë thirrje të gjithë qytetarëve dhe subjekteve juridike që të kryejnë obligimet e tyre pa vonesë, ose të paraqiten për arritjen e marrëveshjeve për pagesë me këste.
Sipas tij në të kundërtën, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të ndërmerren të gjitha masat ligjore për mbledhjen e detyrueshme të borxheve, përfshirë vendimet për ekzekutim dhe procedurat përmbarimore.
“Zbatimi i ligjit dhe barazia para obligimeve, janë parime që do të vlejnë për të gjithë pa përjashtim”, tha Avdyk Kastrati, drejtor për Buxhet dhe Financa.

You Might Also Like