OPINION

A po zbatohet ligji në mënyrë të barabartë në komunë?

Shkruan: Bashkim Isufi

Është për t’u përshëndetur korrektësia dhe gatishmëria e banorëve të banesave sociale, të cilët kanë respektuar kërkesat e inspektorëve dhe kanë larguar objektet montuese, gjësendet dhe mbeturinat.

Megjithatë, zbatimi i ligjit dhe veprimet inspektuese duhet të jenë të njëtrajtshme dhe të pandikuara nga selektiviteti, në të gjithë territorin e komunës. Ato nuk duhet të kufizohen vetëm në banesat sociale, ndërkohë që në zona të tjera të qytetit dhe fshatrave vazhdojnë të evidentohen objekte montuese, uzurpime dhe shkelje të ndryshme të pronës publike.

Komuna e Gjilanit ka publikuar që në vitin 2019 regjistrin zyrtar të uzurpimeve të pronës publike-komunale, ku evidentohen 114 raste të uzurpimeve dhe shfrytëzimeve të paligjshme. Ky fakt dëshmon se institucionet komunale kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të informuara për ekzistimin e këtyre rasteve, duke poseduar evidencë të plotë institucionale për to.

Zbatimi i ligjit nuk duhet të mbetet vetëm përgjegjësi e Drejtorisë së Inspekcionit, pasi ky proces kërkon bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme edhe nga drejtoritë dhe institucionet e tjera komunale.

Vetëm përmes koordinimit institucional dhe veprimit të përbashkët mund të sigurohet zbatim efektiv, i qëndrueshëm dhe i barabartë i ligjit në të gjithë territorin e komunës.

Pikërisht për këtë arsye, qytetarët presin me të drejtë që ligji të zbatohet në mënyrë të barabartë ndaj secilit, pa dallim statusi social, zone banimi apo ndikimi.

Sundimi i ligjit nuk matet me veprime të pjesshme, por me gatishmërinë institucionale për të vepruar njësoj në çdo rast dhe ndaj çdo qytetari.

Vetëm një zbatim i barabartë, i vazhdueshëm dhe i paanshëm i ligjit mund të forcojë besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe të dëshmojë se interesi publik mbetet prioritet mbi çdo interes tjetër.

You Might Also Like