Gjilan

Banorët e Poneshit druajnë se bunarët, arat e malet do t’u mbetën matanë autostradës

Banorët e Poneshit druajnë se bunarët, arat e malet do t’u mbetën matanë autostradës

Sa herë që ka ndonjë lajm për përparimet që bëhen në mbarimin e autostradës Gjilan – Prishtinë, gjilanasit i gëzohen një lajmi të tillë. “Autostrada e Gjilanit po bëhet”, shpesh janë dëgjuar këto fjalë, por shumë nga qytetarët kanë ngelur pa përgjigje se si po bëhet dhe a janë marrë parasysh disa nga shqetësimet e tyre. Pos shumë të mirave që i sjellë autostrada Gjilan – Prishtinë, ajo sjell edhe shqetësime të banorëve të fshatrave që mbesin skaj saj.

Banorët e Poneshit, teksa me kërshëri presin përparimin në çdo kilometër të ndërtimit të kësaj autostrade, ata me të drejtë pyesin, çfarë do të ndodhë me pronat e tyre që mbeten matanë, si do të kenë çasje në to dhe sa kohë do t’u duhet për të mbërrirë te to.

“Ne mbi katërdhjetë burime nga të cilat furnizohemi me ujë i kemi matanë autostradës, matanë nga ngelen edhe arat që duhet t’i punojmë, pyjet për të prerë dru e shumë prona të tjera”, thonë banorët e fshatit Ponesh, të cilat megjithëse kanë kërkuar të dijnë se a do të ketë ndonjë rrugë nën autostradë apo ndonjë mbikalim ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje, sikurse që siç shprehen ata, asnjëri prej tyre nuk e ka parë planin detal të autostradës.

“Ne assesi nuk mund të dalim tek bunarët tona, prej të cilëve furnizohemi me ujë, andaj kërkojmë një zgjidhje, që të mos jemi të detyruar të dalim në protesta”, thonë banorët e shqetësuar, të cilët kërkojnë një zgjidhje para se të përfundojë autostrada, ngase më pas do të bëhej vonë.

Ata shqetësimet e tyre i kishin ngritur që kur ishte ndërtuar traseja kah ishte paraparë të kalojë autostrada dhe atëkohë u ishte thënë se do të ketë rrugë me të cilat do të lidheshin pronat e tyre, por tash kur punët po shkojnë kah finalizimi, një rrugë e tillë nuk po shihet askund./kryelajmi.com/.

You Might Also Like