Futboll

Çfarë po ndodh me Arbnor Mujën, nuk po bëhet i “gjallë” te Antwerpi

Kanë kaluar më shumë se një muaj që kur u kompletua transferimi i futbollistit Arbnor Muja nga Drita te klubi i madh belg, Royal Antwerp.

Marrëveshja mes palëve u arrit me t’u mbyllur sfida ndërmjet Dritës dhe Antwerpit në rrethin e dytë kualifikues në Ligën e Konferencës e cila u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Transferimi i Arbnor Mujës njëherit ishte edhe më i shtrenjti në histori të futbollit të Kosovës. Antwerp pagoi rreth 400 mijë euro për shërbimet e mitrovicasit.

Arbnor Muja u paraqit edhe në seancën e parë stërvitore me bashkëlojtarët e rinj më 9 gusht, me pamjet të cilat u publikoi klubi belg.

Megjithatë, nga ajo ditë, Arbnor Muja nuk është bërë “i gjallë” më te klubi me nam në futbollin e Belgjikës, shkruan Demokracia.com.

Në pesë takime sa ka zhvilluar Royal Antwerp në kampionatin elitar belg që prej transferimit të Mujës, ky i fundit nuk është përfshirë fare në listën e futbollistëve të ftuar nga trajneri, Mark van Bommel në asnjërën nga to.

Se Arbnor Mujës i nevojitej ende kohë për t’u përgatitur që të paraqitet për Antwerpin e kishte bërë të ditur edhe trajneri Van Bommel në një deklaratë para pak kohësh.

“Do të doja që Muja, Ekkelenkamp dhe Avila t’i luanin disa minuta, por ata ende nuk kanë të drejtë të luajnë në Evropë. Muja ende nuk e ka përfunduar një stërvitje të plotë me grupin dhe i duhet edhe pak kohë që të jetë gati”, ka thënë Van Bommel në konferencë për media para takimit me Lillestrom në rrethin e tretë kualifikues në Ligën e Konferencës“, njoftuan mediat belge.

Klubi nuk ka bërë të ditur për ndonjë lëndim të mundshëm të Mujës nëpërmjet uebfaqes apo mjeteve të tjera të informimit.

Arbnor Muja ishte ndër lojtarët më premtues në futbollin e Kosovës, ndërsa përveç Dritës ai karrierë kishte bërë edhe te Trepça ’89 e Skënderbeu./Demokracia/

You Might Also Like