Shkruan: Shefik Surdulli –
Goditja mbi interesat dhe vlerat kombëtare, nga segmente të caktuara brendapërbrenda llojit, në momentet vendimtare në historinë tonë kombëtare, nuk është diçka e panjohur ndër ne. Por, që ajo të bëhet edhe tash, në kohën moderne, kur Kosova është çliruar dhe ka fituar lirinë e pavarësinë e saj, duket e tmerrshme, ndonëse e shpjegueshme si fenomen nacional, duke pasur parasysh të kaluarën tonë të dhimbshme në këtë relacion.
Këto ditë, diskutimet dhe debatet e shumta, në të shumtën e rasteve, debate sharlataneske, rreth “Gjykatës Speciale për Kosovën”, prapë kanë nxjerrë në pah këtë fenomen ogurzi (kundër lavdisë së tij), kur kihet parasysh edhe subjekti i kësaj gjykate. Duke qenë koshient për ndjeshmërinë dhe kompleksitetin e këtij procesi me implikime të gjera gjeopolitike, kjo çështje nuk është objekt i trajtimit në këtë shkrim.
Mirëpo, ajo që të bie në sy, është shpërfaqja ngazëllyese e ndjenjave të një kaste politike dhe « apolitike », kryesisht të atyre me ndërgjegje të trazuar, të cilët me aq padurim po presin aktakuzat e para kundër krerëve të luftës së Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, kundër atyre që bënë historinë e Kosovës: lirinë dhe shtetësinë e saj. Po shihet se ky soj akoma nuk ka mësuar dhe është larg “këndelljes”, përkundër përvojës së tyre të gjatë (të dështuar) antikombëtare, të trashëguar ndër brezni, në të gjitha periudhat e sundimit serb në Kosovë. Ky entuziazëm i pafre, do të lërë shenjë vetëm si një imazh çmalljesh me nostalgjinë për jetën e kaluar prej “robit të kënaqur”, të kësaj “elite”, ngase UÇK-ja ka qenë dhe mbetet përtej individit, ideologjisë dhe krahinës.
Liria e Kosovës dhe pavarësia e saj, e kurorëzuar nga lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë nuk mund të zhbëhet, sepse ka lindur dhe po rritet mbi themelet e gjakut të dëshmorëve të lirisë, nga heroizmi dhe sakrifica e brezave të tërë të këtij trualli.
Ky yrysh ndaj UÇK-së, nuk është i sotmë, por është që nga lindja e saj në Drenicën heroike, në Gllogjan, në Llap e në Karadak. Në vazhdimësi dhe në forma të ndryshme e kanë luftuar atë, për aq sa kanë pasur takat. Secila fitore e UÇK-së mbi forcat e pushtuesit, i ka trishtuar, ndërsa janë gëzuar nga disavantazhet e saj të herëpashershme. Rënia e komandantit legjendar, Adem Jashari, në Prekaz dhe të komandatëve të tjerë, i ka trimëruar me shpresën dhe marrëzinë e tyre se “mbaroi UÇK-ja!”.
Sinjali për përfundimin e luftës triumfuese të UÇK – NATO, këtyre “luftëtarëve”, iu ka dhënë kurajën t’i kapin armët (pa zbrazur asnjë fishek deri atëherë) për ta “çliruar” Kosovën e lirë, e për ta ngritur Flamurin prej çlirimtari. As njërën, as tjetrën nuk ia arritën.
Në këtë mision (duke mos qenë vetëm!), orkestra e këtyre fantazmave nuk është ndalur deri në ditën e sotme, duke i përdorur të gjitha mjetet dhe format e mundshme “demokratike”, madje duke përpunuar edhe strategjinë ogurzezë për ta margjinalizuar e komprometuar luftën e UÇK-së (të cilën nuk mundi ta komprometojë e ta nënshtrojë as makineria e rëndë vrastare serbe). Për fat të keq, për ta pasur më lehtë, në këtë lojë lajthitën edhe disa naivë e lakmitarë prej tanëve.
Pavarësisht ndonjë dëmi që mund t’i bëhet proceseve shtetndërtuese të Kosovës, këto tendenca kundër vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përsëri do të dështojnë, ngase lufta çlirimtare, e pastër dhe e drejtë e UÇK-së, në trollin tonë, është dëshmuar edhe në procese të shumta gjyqësore, brenda e jashtë Kosovës.
Megjithëkëtë, liria dhe shteti i Kosovës do të rrojë me prosperimin e saj drejt Evropës e Botës së përparuar demokratike.