Në fshatin Letnicë të Komunës së Vitisë, u shënua Dita e Bashkëpunimit Evropian 2026, në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III Kosovë – Maqedoni e Veriut 2021–2027.
Gjatë kësaj ngjarje u prezantua rëndësia e shtegut të Nënë Terezës në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar. Në fillim të këtij takimi nga një fjalë rasti kanë mbajtur përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë, të institucioneve qendrore të Kosovës dhe të Maqedinisë së Veriut. Poashtu një fjalë rasti para të pranishmeve ka mbajtur edhe kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti i cili theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje për promovimin e vlerave të përbashkëta evropiane, duke potencuar se: “Bashkëpunimi ndërmjet vendeve dhe komuniteteve është thelbësor për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, të bazuar në solidaritet, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë.” Përndryshe në fund të këtij takimi u bë një ecje përgjatë shtegut të Nënë Terezës. Bëhet me dije se ky aktivitet ishte organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian në Kosovë. Aziz Zuka



