Dr. Fitim Rifati zgjidhet Këshilltar shkencor (Prof. Dr.) në Institutin e Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë
Sot, Këshilli Shkencor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, ka zgjidhur Dr. Fitim Rifatin Këshilltar shkencor (Prof. Dr.) për shek. XIX-XX.
Fitim Rifati u lind në Pogragjë të Gjilanit, më 13 shkurt 1987. Studimet themelore i ka kryer në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Edukimit, Drejtimin Histori-Edukatë Qytetare, ndërsa studimet e magjistraturës i ka kryer në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakultetin Filozofik, Drejtimin e Historisë. Studimet e doktoratës i ka përfunduar në Akademinë e Studimeve Albanologjike, Institutin e Historisë – Tiranë.
Ka punuar si arsimtar i lëndëve Histori-Gjeografi në Shkollën e Mesme të Ulët “Vehbi Ibrahimi” në Uglar të Gjilanit (2011). Nga 11 gushti i vitit 2011 punon në Institutin e Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, fillimisht si Hulumtues praktikant, Hulumtues i pavarur, Bashkëpunëtor shkencor dhe Bashkëpunëtor i lartë shkencor për periudhën e shek. XIX-XX.
Ka qenë Kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – dega në Gjilan (2010-2013), Sekretar Shkencor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë (2022-2024), Koordinator Përgjegjës i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, për bashkërendimin e aktivitetit kërkimor dhe shkencor me Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Fusha e tij kërkimore-shkencore, me theks të veçantë, lidhet me historinë e popullit shqiptar për periudhën e viteve 1878-1918, përkatësisht me aspektet politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore-arsimore, si dhe me kontribute të tjera profesionale për periudhën e shek. XIX-XX.
Është autor i monografive studimore, i botimeve me përmbledhje artikujsh dhe studimesh dhe i botimeve me dokumente. Ka botuar punime shkencore në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, ka marrë pjesë në konferenca e aktivitete shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është shquar me pjesëmarrje në projekte dhe kontribute të tjera profesionale.



