Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri, bashkë me zyrtarë të tjerë nga Komuna e Gjilanit, në kuadër të delegacionit zyrtar, realizuan një vizitë në Sioux City, Iowa, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni zhvilloi takime dhe vizita në institucione të rëndësishme kulturore dhe rinore të qytetit, përfshirë Qendrën e Artit në Sioux City, Muzeun Publik të Sioux City-t, si dhe Qendrën e të Rinjve.
“Në këto takime u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit kulturor dhe rinor ndërmjet dy qyteteve, me fokus të veçantë në promovimin e artistëve, shkëmbimet artistike dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes të rinjve”, tha Zeqiri.
Ai tregoi se në Qendrën e të Rinjve, u prezantuan mundësitë për shkëmbimin e përvojave, projekteve dhe aktiviteteve mes të rinjve të Gjilanit dhe Sioux City-t, me synim krijimin e lidhjeve të reja dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në të ardhmen.
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, tha se vizita rezultoi me thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe dakordimin fillestar për realizimin e një ekspozite të përbashkët me artistë nga Gjilani dhe Sioux City, duke krijuar kështu ura të reja komunikimi dhe bashkëpunimi kulturor ndërkombëtar.
“Ky bashkëpunim synon promovimin e artit bashkëkohor, shkëmbimin e përvojave dhe prezantimin e vlerave kulturore të Gjilanit në arenën ndërkombëtare”, tha Zeqiri.





