Futboll

Drita mëton cilësitë t’i shpalos në Suharekë

Java e 31-të në Superligë sjell derbin e dy skuadrave të kreut të tabelës, ku klubi ynë DRITA udhëton për në Suharekë për ndeshjen ndaj FC Ballkanit.
Për këtë sfidë, përgatitjet dhe pritshmëritë foli kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Faton Maloku, të cilët vlerësuan kundërshtarin dhe ndeshjen e cilësuan si derbi të vërtetë.
“Nesër na pret një përballje e fortë, një kundërtshtar që ka bërë një vit të mirë si në aspektin taktik, me mbrotje si grup dhe agresiv e tranzicion të shpejtë në sulm. Ata janë përmirësuar si skuadër, me futbollistë cilësor individual që dijnë të bëjnë diferencën. Por, unë besoj te skuadra jonë, thjesht do të kërkoj që të jemi vetvetja dhe lojën tonë apo atë filozofinë tonë ta shtrijmë në ndeshje. Pres të jetë ndeshje e mirë sepse të dyja skuadrat kemi kualitetet tona dhe do të mundohemi të bëjmë një ndeshje të madhe”, ka thënë fillimisht Nuhiu.
Për rëndësishnë e ndeshjes foli edhe portieri ynë, Faton Maloku. Ai theksoi se bashkë me futbollistët synojnë të tregojnë vlerat si skuadër nesër në fushë.
“Nesër na pret një ndeshje e vështirë, pasi kemi të bëjmë me një skuadër të fortë e cila ka grumbulluar shumë pikë dhe është lider. Jemi munduar ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë, pasi tashmë e njohim kundërshtarin dhe i dijmë pikat e forta. Përballemi në tri vitet e fundit me ta, duke luftuar për kreun e tabelës. Mirëpo ne e njohim veten edhe më shumë krahas përparësisë që e njohim edhe kundërshtarin. Do të japim maksimumin dhe do të shohim rrjedhën e lojës nesër”, ka thënë Maloku.
I pyetur për rrjedhën e kampionatit dhe titullin kampion, trajneri Ardian Nuhiu tha se diferenca është thelluar, por në futboll mund të ndodhin befasitë.
“Futbolli di të sjellë befasi, kemi parë edhe në kampionate më të forta. Por, duhet të jemi realistë sado që në futboll mund të ndodh ndonjë mrekulli, por e vërteta është se janë distancuar dhe gjithçka po bëhet më e vështirë. Ata kanë tri vite që janë ndërtuar, po kërkojnë Evropën dhe titujt dhe këtë vit me plot meritë po i korrin ato që i kanë ndërtuar. Është sportive të shpresosh deri në fund dhe ta rrespektosh kampionatin, prandaj këtë do e bëjmë në çdo ndeshje”, deklaroi Nuhiu.
Trajneri ynë, Ardian Nuhiu theksoi se gjithcka çfarë i intereson DRITËS është që në këto ndeshje të marrë sa më shumë pikë.
“Do të mundohemi edhe ne t’i nxjerrim përgatitje dhe ato që i kërkojmë pikërisht ndaj një kundërshtari të fortë dhe kjo të na shërbejë edhe për të ardhmen, sidomos në arenën ndërkombëtare. Kur ke një kundërshtar të fortë të detyron si skuadër t’i kryesh detyrat në maksimum, të mbulosh dhe kur të krijohen hapësirat pse jo ta ndëshkosh”, përfundoi Nuhiu.
Në këtë ndeshje do të mungojnë Muharrem Jashari, Astrit Fazliu dhe Arbnor Muja.
Konferencën e plotë mund ta ndiqni në profilin zyrtar të klubit, https://fb.watch/cF64Bc8qXy/

Ndeshja FC Ballkani – FC DRITA zhvillohet nesër e enjte, ora 15:00 në Stadiumin e Qytetit në Suharekë.

You Might Also Like