Gjilan

Gjilani shënon Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt

Gjilan, 21 qershor 2021 – Nën mbështetjen e Komunës së Gjilanit dhe me iniciativë të organizatës Gruaja Hyjnore, sot është shënuar Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, duke promovuar moton “Ne jemi zëri juaj”, për të qenë afër me të gjitha ato që kanë qenë të dhunuara pa e ndarë kurrë dhembjen me askënd.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka theksuar se Komuna e Gjilanit është e përkushtuar në vazhdimësi dhe me kujdes të veçantë për të mbështetur të gjitha kategoritë që nuk e ndjejnë veten të barabartë në shoqëri dhe posaqërisht për gratë dhe të rejat e Kosovës që gjatë luftës kanë përjetuar momentet më të vështira dhe tmerruese në jetën e tyre.

“Ato momente janë të paharruara për të gjitha ato që janë dhunuar në kohën e luftës. Askush nuk mund ta paramendoj gjendjen e tyre. Gjithmonë do t’iu qëndrojmë afër që dhembjen e tyre ta ndajmë së bashku”, ka thënë mes tjerash nënkryetari Ismajli.

Arjeta Maka, në emër të organizatës Gruaja Hyjnore, ka thënë se së bashku me Komunën e Gjilanit sot me këtë pano konfirmojnë se janë pranë të gjitha grave dhe vajzave që ishin të dhunuara e për të cilat ndjenja e tmerrit asnjëherë nuk është eliminuar.

“Ne jemi zëri juaj” është moto e të gjithëve për të qenë afër jush për vuajtjet dhe tmerrin që keni kaluar. Vetëm të bashkuara ne mund të jemi afër të gjitha atyre që janë duke jetuar me tmerrin e asaj kohe”, ka thënë ajo mes tjerash.

Zyrtarja për barazi gjinore, Lindita Salihu, ka theksuar se çdo organizim që bëhet për këtë kategori të viktimave është pak, sepse dhnuna ndaj tyre dhe tmerri i përjetuar asnjëherë nuk mund t’u largohet atyre, pos që mund ta ndajmë këtë dhimbje që ato te jenë më të lehtësuara dhe njëkohësisht shpresojmë se drejtësia do të shkojë në vend.

Fatmir Shurdhani nga Handikos, ka thënë se ky slogan por edhe ai që së bashku me kryetarin jemi duke punuar për “mundësi të barabarta për të gjithë”, janë angazhime që kanë të bëjnë me kushte më të mira për të gjitha të mbijetuarat nga dhuna në konflikt, por edhe për të gjithë kategoritë që e ndjejnë veten jo të barabart në shoqëri.

You Might Also Like