Gjilan

Haziri merr konfirmimin e donatorëve për ndërtimin e një shtëpie në Gjilan

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka marrë sot konfirmimin e donatorëve, Ramadan Ramadani dhe Agim Aliu, për ndërtimin e shtëpisë së Veli Aliut në lagjen “Arbëria”, i cili pos që ka jetuar në gjendje të rëndë, ka edhe disa invalid në familjen e tij.

Kryetari Lutfi Haziri ka falënderuar donatorin Ramadan Ramadani (bashkatdhetar nga Zvicra) dhe Agim Aliun për këtë gjest human, duke thënë se po ndjehet shumë mirë që njerëzit e vullnetit të mirë vazhdimisht po lajmërohen për t’i dalë në ndihmë familjeve në nevojë.

“Unë ju falënderoj shumë për këtë humanitet që po e tregoni, duke e nxjerrë një familje nga gjendja e rëndë e banimit. Bashkatdhetarët tanë definitivisht janë heronjtë tanë të gjallë meqë tradicionalisht nuk kanë kursyer asgjë nga vetja e tyre për të ndihmuar Gjilanin. Apeloj edhe tek të tjerët që të vazhdojnë të jenë solidar sepse nuk ka punë më të madhe sesa ta rahatosh një familje duke e bërë më shtëpi të re”, tha Haziri.

Haziri ka paralajmëruar se së shpejti, me buxhet komunal, do të nis ndërtimi edhe i dy shtëpive të reja, përkatësisht Rrahman Hajdinit në Gumnishtë dhe Mexhid Mustafës në Lladovë, përderisa do të renovohen tri shtëpi të tjera për Fehmi Bllaca në Cërnicë dhe Kujtim Vranocin e Fadil Osmanin në Gjilan.

Haziri ka konfirmuar se fillimi i ndërtimit të këtyre shtëpive pritet të nis gjatë këtij muaji të Ramazanit.

Ndryshe, në mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, të organizuar me iniciativë të kryetarit Lutfi Haziri në tetorin e vitit 2014, u premtua ndërtimi i dhjetë  shtëpive, ndërkaq kjo tashmë është katërfishuar meqë numri i shtëpive të ndërtuara ka kaluar shifrën 40.

You Might Also Like